Mazniku: “Paketa e Maleve” zgjidh çështjen e pronës, nxit investimet në agroturizëm

TIRANË, 26 mars /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku u shpreh se, “Paketën e maleve”, është një nga instrumentet që synon ti japë zhvillim turizmit në zonat malore dhe jo vetëm.
I pranishëm në takimin që u zhvillua në Shkodër për prezantimin e “Paketës së Maleve”, një ligj i ri i sapomiratuar nga Kuvendi, Mazniku vuri në dukje se, “kjo është një iniciativë e qeverisë për t’i hapur rrugë investimeve në agroturizëm e turizëm malor, duke i dhënë mbështetje të posaçme, të gjithë atyre që duan të rikthehen në tokat e të parëve për të bërë sukses ekonomik për familjen e tyre”.
Ai solli në vëmendje se vitin e kaluar, Shqipërinë e vizituan mbi 12 milionë turistë që shpenzuan mbi 5 milionë euro.
“Rreth 30% e të ardhurave nga turizmi u shpenzuan për bare restorante, 35% u shpenzuan për hoteleri, 20% e shpenzime në produkte bujqësore dhe 15% në transport. Pra turizmi ka sjellë një shpërndarje kapilare të të ardhurave në ekonomi, por vihet re se kjo nuk ka ndodhur në gjeografi, që do të thotë se një pjesë e madhe e të ardhurave janë shpenzuar në zonën bregdetare, duke lënë mënjanë zonat malore”, u shpreh Mazniku.
Sipas tij, “Paketa e maleve” synon të zgjidhi një seri problemesh që kanë të bëjnë me mundësinë për të zhvilluar dhe për të investuar.
“Çdo bashki që ka një zonë malore ka të drejtë të shpalli një zonë malore prioritare për tu zhvilluar dhe është Këshilli i Ministrave ai që i jep kësaj zone statusin për tu zhvilluar. Personat që janë pronarë të tokës në këtë zonë dhe nuk disponojnë certifikatë pronësie, por duan të ndërmarrin investime për zhvillimin turistik të saj, do të mbështeten përmes kësaj pakete në sipërmarrjen e tyre” u shpreh Mazniku.
Ai tha se, me këtë nismë i japim zgjidhje problemit të pronës, aplikimit për një leje zhvillimore në turizëm dhe mundësi poseduesve të mirëfilltë të tokës për ta zhvilluar pronën e tyre në funksion të turizmit që rrit të ardhurat ekonomike.
“Kjo nismë i përgjigjet edhe dëshirës së emigrantëve që duan të investojnë në tokat e tyre dhe të kenë mundësinë të zhvillojnë turizmin në zonat malore të vendit”, tha ai.
/a.f/