Strategjia e Transportit 2030, nis procesi konsultues për Vlerësimin Strategjik Mjedisor

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Ka nisur procesi konsultues në kuadër të hartimit të Strategjisë Sektoriale të Transportit dhe Planit të Veprimit 2030, me zhvillimin e takimit të parë për validimin e metodologjisë dhe kornizës analitike të Vlerësimit Strategjik Mjedisor (VSM).
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) bëri të ditur se mori pjesë në këtë takim, i cili synon të sigurojë një proces sa më gjithëpërfshirës në hartimin e dokumenteve strategjike për zhvillimin e sektorit të transportit.
Sipas DPSHTRR-së, qëllimi i takimit ishte validimi i metodologjisë së Vlerësimit Strategjik Mjedisor, si edhe mbledhja e rekomandimeve nga grupet e interesit për të garantuar që strategjia të reflektojë prioritetet dhe nevojat e sektorit.
Vlerësimi Strategjik Mjedisor është një instrument që integron konsideratat mjedisore në hartimin e politikave, strategjive dhe planeve, duke synuar zhvillim të qëndrueshëm dhe minimizimin e ndikimeve në mjedis.
DPSHTRR theksoi se ky është një hap i rëndësishëm drejt hartimit të Strategjisë Sektoriale të Transportit dhe Planit të Veprimit 2030, dokumente që do të orientojnë zhvillimin e sektorit të transportit në Shqipëri gjatë viteve në vijim.
/e.xh/r.e/a.f/