E Enjte, 5 Nëntor 2026

Mazniku uron vitin e ri shkollor në mjediset e rikonstruktuara të Shkollës Artistike “Onufri” në Elbasan

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Shkolla e Mesme Artistike e Bashkuar “Onufri” në Elbasan, hap këtë vit dyert për nxënësit me ambiente të reja të rikonstrukturuara si dhe me një godinë të re shtesë që përfshinë 12 klasa të reja, një sallë të re për koncertet me kapacitet 270 persona duke rritur në këtë mënyrë standardet dhe kushtet e mësimdhënies. Investimi i ri në këtë shkollë është dhe palestra me të gjitha standardet bashkëkohore.

Si pjesë e  investimeve të Ministrisë së Arsimit për rikonstruksionin e shkollave, në këtë shkollë u rikonstruktuan totalisht 25 klasa standarde, 35 klasa individuale për veglat muzikore, salla për ekspozitën dhe ambiente te tjera të brendshme dhe territori i jashtëm i shkollës.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku ishte mes nxënësve të kësaj shkolle të cilëve iu uroi vit të mbarë shkollor.

“Unë besoj që mjedisi është i rëndësishëm, por pjesa më e rëndësishme që e bën shkollën të suksesshme janë mësuesit dhe sigurisht pjesa e dytë shumë e rëndësishme është puna e secilit prej jush”, iu drejtua ai mësuesve dhe nxënësve.

Mazniku u shpreh i bindur që në kjo shkollë do të ketë Dua Lipën e ardhshme, Ermonela Jahon e ardhshme.

“Detyra që  bashkia dhe ne kemi pasur është që të sigurohemi që kemi një shkollë të mirë, një mundësi të mirë. Sot qartësisht bashkia dhe pushteti e kanë bërë pjesën e vet, por pjesa më e rëndësishme është pjesa që do të bëjë secili prej jush duke i dhënë forca dhe rezultate sa më të larta”, përfundoi ministri Mazniku.

1 nga 2

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›