E Enjte, 5 Nëntor 2026

Akti normativ për ndryshime në Urdhrin e Mjekut, debate në Komisionin e Shëndetësisë

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Në Komisionin e Punës, Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale shqyrtimi i aktit normativ “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për urdhrin e mjekëve në Republikën e Shqipërisë” u shoqërua me debate mes deputetëve të pranishëm, ndërsa të ftuar ishin përfaqësues të Urdhrit të Mjekut.

Të ftuar në këtë seancë dëgjimore ishin presidenti i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, Fatmir Brahimaj, zëvendëspresidenti Dritan Trepca, Sekretarja e Përgjithshme, Kontilia Rapo dhe zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli.

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu tha se ndryshimet e propozuara në ligjin për Urdhrin e Mjekut janë të paligjshme dhe antikushtetuese.

“Merret guximi të goditet një institucion si Urdhri i Mjekut. Shteti po fut duart si hajdut, sepse ka frikë nga institucionet e pavarura. Po godasin edhe këtë. Pse? Sepse e ndjejnë se janë të pavarur, profesionistë dhe i kanë frikë”, tha Shehu.

Më tej Shehu u shpreh se “i bëj thirrjeve kolegëve mjekë që të ngrihen siç u ngritën studentët. Kjo është e paligjshme, antikushtetuese”.

Nënkryetarja e komisionit, Klodiana Spahiu u shpreh se nuk ka ndryshime thelbësore në këtë Akt Normativ që të prekin Urdhrin e Mjekut.

“Ndryshon vetëm struktura dhe kriteret e komisionit disiplinor, madje dhe këtë vetë Urdhri do e hartojë. Nuk ka ndryshim të buxhetit apo pikave të tjera. Bëhet fjalë vetëm për një Komision masash”, tha Spahiu.

Spahiu pyeti më tej edhe për rastet kur Urdhri ka ndërhyrë pas ankesave apo çështjeve si ajo e ngjarjes së Onkologjikut.

Kreu i Urdhrit të Mjekëve, Fatmir Brahimaj, u shpreh se “ajo ishte çështje kriminale dhe jo shkelje e etikës. Nuk mund të ndërhyhej nga ne. Sigurisht ka dhe çështje etike, por në këtë rast ishte vepër penale, aq sa edhe Prokuroria e Tiranës nuk e mori përsipër, por e kaloi te SPAK-u. Ne trajtojmë shkelje të lehta etike. Në veprat penale presim vendimin e Gjykatës, ne nuk marrim vendime penale apo t’i trajtojmë”.

Spahiu i kujtoi disa pika të ligjit dhe nenet e Urdhrit të Mjekut, ku një prej tyre, pika 17, ishte edhe heqja e licencës së mjekut për rastet me shkelje të rënda.

Brahimaj u shpreh se “Urdhri është për rastet etike të lehta, pasi të tjerat duhet pritur vendimi i Gjykatës. Pra urdhri merrte masa disiplinore si vërejtjet apo pezullimet”.

Ndryshimet ligjore në ligjin e “Urdhrit të Mjekut” synojnë ofrimin e një shërbimi sa më cilësor ndaj pacientit. Masat disiplinore që mund të merren ndaj mjekut fillojnë që nga pezullimet, heqja e përhershme e licencës, gjobat nga 100 mijë lekë deri në 1 milion lekë, të cilat do të gjykohen nga komisionet disiplinore që ngrihen pranë “Urdhrit të Mjekut” dhe komisionet e apelimit. Heqja e licencës parashikohet e përkohshme, 6 muaj, ose përhershme për përsëritje të gabimeve.

Shqyrtimi i aktit normativ “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.123/2014, “Për urdhrin e mjekëve në Republikën e Shqipërisë” do të zhvillohet ditën e nesërme.

/k.s/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›