Numërimi/2 kuti te njësia nr.5 nxjerrin fitues Bashën me 50 vota diferencë. Kandidati demokrat, shumë pranë fitores

-- Në Tiranë ka përfunduar procesi i numërimit në 10 njësi bashkiake, nga 11 të tilla. Aktualisht, po numërohen kutitë e njësisë bashkiake nr.5 ose KZAZ nr.49
-- Ambasadori Wollfarth: Procesi i numërimit po ecën intensivisht, shumë shpejt do kemi rezultatin
-- Gerti Bogdani: Rama ka frikë nga rezultati, po vërsulet me gjuhë talebani
UPDATE- Kandidati i Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin” në bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, është shumë pranë fitores së mandatit të parë të tij si qytetar i parë i Tiranës. Kur kanë mbetur edhe 12 kuti votimi për t’u numëruar, z.Basha udhëheq me një diferencë prej 860 vota ndaj rivalit socialist, Edi Rama. Ndërkohë sot në orët e para të mëngjesit është konfirmuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve se ka përfunduar numërimi në 41 kutitë e votimit të njësisë bashkiake nr. 9, ose KZAZ nr.53. Basha u shpall fitues në këtë njësi bashkiake me një diferencë prej 642 vota. Përkatësisht, Lulzim Basha mori 11 950 vota, ndërsa Edi Rama 11308 vota. “Beteja” po zhvillohet në njësinë bashkiake nr.5, ose KZAZ nr. 49, ku kanë mbetur edhe 10 kuti votimit. Në to vërehet një pritshmëri pozitive për kandidatin demokrat, teksa nga kutia në kuti, Lulzim Basha konsolidon rezultatin. Nga të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të orës 21:30 të ditës së sotme, rezulton se janë numëruar 474 nga 485 kuti gjithsej. Nga numërimi i tyre, kandidati Lulzim Basha ka marrë 122 700 vota, ndërsa ai socialist, Edi Rama, 121 978 vota. Diferenca deri në këto momente është 725 vota në favor të kandidatit të Partisë Demokratike dhe Aleancës për Qytetarin, Lulzim Basha. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raporton gjithashtu se në KZAZ-në nr.49 të njësisë bashkiake nr. 5, janë në proces numërimi 10 kutitë e fundit, ndër të cilat pa u shpallur rezultati mbeten 8 kuti. Me këtë ritëm, Lulzim Basha do të jetë kryetari i ri i bashkisë së Tiranës.
PD, Mustafaraj: Edi Rama të kurojë sëmundjen e humbësit- vota e qytetarëve do numërohet deri në fund
Partia Demokratike fton numëruesit dhe vëzhguesit e saj që të vazhdojnë detyrën e tyre në mbështetje të ligjit dhe të Kodit Zgjedhor. Duke patur parasysh presionin dhe kërcënimet qe po ushtrohet ndaj tyre orët e fundit nga PS, në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD, Albana Mustafaraj deklaroi se “Edi Rama duhet të kurojë panikun e humbjes me qetësues dhe jo duke kërcënuar dhe ofenduar numëruesit, vëzhguesit apo edhe drejtuesit e PD-së në një përpjekje të qartë për të njollosur demokracinë e vendit”. Sipas saj, numëruesit dhe vëzhguesit e Partisë Demokratike janë emëruar për të ushtruar detyrën dhe funksionin e tyre në përputhje të plotë me kodin zgjedhor, në kontrast të plotë me homologët e tyre socialistë, ku shumica e tyre janë punonjës të bashkisë apo edhe policisë bashkiake. Lidhur me procesin e numërimit në njësinë bashkiake numër 5, Mustafaraj tha se procesi ka vazhduar normalisht dhe vetëm brenda 5 orësh janë numëruar 6 kuti, ndërsa në proces janë edhe dy kuti të tjera. “Çdo votë lexohet nga dhjetëra vëzhgues si vendas ashtu edhe të huaj, në projektorët e vendosur në të gjitha tavolinat e numërimit, gjë që i siguron këtij procesi saktësi dhe transparencë maksimale”- tha ajo. Ndërsa shtoi më tej se Partia Demokratike do të bëjë gjithçka që leximi i zërit të qytetarëve të vijojë sa më shpejt, me transparencë, sa më i saktë dhe i ndershëm. “Këto zgjedhje janë të lira, të ndershme dhe çdo tentativë e Ramës për t’i njollosur ato, do të dështojë”- përfundoi zëdhënësja e selisë blu, Albana Mustafaraj.
Gerti Bogdani: Rama ka frikë nga rezultati, po vërsulet me gjuhë talebani
Pas akuzave të PS-së se në njësinë numër 5 ka njerëz të inkriminuar që po numërojnë votat, ka reaguar edhe Partia Demokratike përmes deputetit Gerti Bogdani. Deputeti i PD-së Gerti Bogdani nga selia e PD-së ka reaguar duke thënë se Edi Rama ka frikë nga rezultati i votave, prandaj dhe po tenton të cenojë procesin e numërimit dhe po kërcënon numëruesit e votimeve në njësinë nr. 5. Bogdani tha se zgjedhjet e 8 majit janë një sukses i demokracisë në Shqipëri. “Gjatë gjithë procesit zgjedhor Shqipëria i ka treguar botës anët tona më të mira duke u përfshirë në një proces të ndershëm dhe transparent”- tha deputeti demokrat. Bogdani vuri në dukje se Partia Demokratike është e vendosur të respektojë procesin e numërimit deri në votën e fundit ndërsa nuk ka lënë pa sulmuar edhe kandidatin e PS-së Edi Rama. “Tani që ka mbetur pa numëruar edhe 14 kuti dhe gara bëhet e ngushtë Edi Rama po shpreh frikën e tij duke hedhur akuza të pabaza me një gjuhë prej talebani. Askush nuk ka të drejtë të hedhë baltë mbi demokracinë kur varet e ardhmja e integrimit të vendit”- theksoi Bogdani.
Ambasadori Wollfarth: Procesi i numërimit po ecën intensivisht, shumë shpejt do kemi rezultatin
Ambasadori i OSBE-së, Eugen Ëollfarth është paraqitur që në orët e para të mëngjesit të sotëm në KZAZ-në 49, në njësinë 5 për të parë nga afër nisjen e procesit të numërimit. Pas ndërprerjes së numërimit gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme , ambasadori Ëollfarth është rikthyer sërish sot në njësinë 5 për të vëzhguar numërimin e 16 kutive të fundit të cilat do të përmbyllin edhe procesin e zgjedhjeve. Ambasadori Wollfarth theksoi se numërimi është duke u zhvilluar me një intensitet të lartë. “E admiroj punën që po bëjnë komisionerët, atmosfera ishte e nxehtë mbrëmë. I respektoj përpjekjet për të numëruar me përpikmëri çdo votë të vetme”- theksoi Ëollfarth duke shtuar se shpreson se së shpejti të ketë një rezultat të saktë. Sipas tij procesi i numërimit është i mirë por raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it do ta përcaktojë më mirë se si ka vijuar procesi. I pyetur nga mediat se, nëse do të ketë kontestime pas shpalljes së rezultatit, ambasadori Ëollfarth theksoi se kjo do të varet nga konstatimet që do të bëjnë kandidatët, por sipas tij e rëndësishme është që të ketë rezultate solide dhe kjo sipas tij varet nga një proces i mirë numërimi. Ndërsa i pyetur se sa mund të ndikojnë zgjedhjet për integrimin e vendit në Bashkimin Europian, ambasadori Ëollfarth theksoi se kjo do t’u lihet përfaqësuesve të BE-së ndërsa shtoi se sa më lehtë të jetohet demokracia aq më lehtë janë hapat e mëtejshme për vendin. “Po janë tregues por kjo do tu lihet përfaqësuesve të Bashkimit Europian”- theksoi më tej Ëollfarth. Ambasadori i OSBE-së deklaroi se zgjedhjet do të jenë një tregues i mirë për funksionimin e demokracisë në vend.
...