E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazreku, provë në Katar

Pa dyshim, Sigal Prishtina ishte ekipi më i përforcuar i Superligës, mirëpo nga 19 marsi, bardhekaltrit do të mbeten pa basketbollistin Blerim Mazrekun, i cili do të shkojë në prova dhjetëditëshe në Katar. Mazreku, i cili luan në pozitën e qendrës, e ka konfirmuar edhe vetë lajmin, duke thënë se do të provohet në njërin prej tri skuadrave elite të Katarit.

“Është e vërtetë se me 19 mars do të nisem për në Katar ku do të provohem në njërën prej tri skuadrave të Katarit. Ndeshjen e fundit me Prishtinën do ta luaj kundër Pejës, që t’u ndihmoj shokëve për të shënuar edhe një fitore dhe më pas do të nisem për në Katar. Shpresoj që t’i kaloj provat dhe të nënshkruaj kontratë”, tha Mazreku.

Në Katar aktualisht po zhvillohen ndeshjet e kupës, ndërsa Mazreku do të provohet në njërën prej skuadrave dhe mbetet çështje e udhëheqësve të klubit nga Katari se si do ta vlerësojnë lojën e basketbollistit kosovar. “Në rast se nënshkruaj kontratë, atëherë në muajin tetor do të jem në Katar, kur edhe fillon kampionati i ri në basketboll. Tashmë kampionati ka përfunduar në Katar dhe kanë mbetur vetëm ndeshjet e kupës”, tha në fund Mazreku.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›