E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbështetja ndaj Obamës për Shëndetësinë në rënie

Obama dhe aleatët e tij Demokratë në Kongresin amerikan janë përballur këtë muaj me kundërshtime të ashpra, ndërsa përpiqen për aprovimin e legjislacionit për ristrukturimin e sistemit shëndetësor amerikan, me vlerë prej 2.5 trilionë dollarë, përmes krijimit të një programi shtetëror sigurimesh.

Republikanët dhe një pjesë e konservatorëve Demokratë argumentojnë se plani i administratës Obama, me një kosto të llogaritur prej më shumë se një trilion dollarë, mund të dëmtojë rëndë biznesin e vogël, do t'i shtohet deficitit buxhetor federal dhe mund të ndikojë në uljen e cilësisë së shërbimit shëndetësor për shumë amerikanë.

Këto shqetësime mund të jenë reflektuar edhe te publiku i gjerë, që sipas sondazhit të fundit, vetëm 49 për qind e të anketuarve mbështesin qëndrimin e Obamës lidhur me këtë çështje, krahasuar me 57 për qind që ishte në muajin prill.

Numri i atyre që nuk mbështesin menaxhimin e reformës është rritur në 44 për qind nga 29 për qind që ishte në të njëjtën periudhë.

Obama dhe Shtëpia e Bardhë janë hedhur në "ofensivë" për të siguruar mbështetje për reformën e propozuar në shëndetësi, që mund të konkurrojë me kompanitë private të sigurimeve, siguron mbulimin e shpenzimeve për afro 46 milionë amerikanë të pasiguruar dhe synon të kufizojë kostot e tepërta për shërbimet mjekësore.

Ndërsa koha kalon për miratimin e ligjit në Kongres brenda këtij viti, kjo betejë duket se përbën provën më të vështirë të presidencës së Obamës.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›