E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbahet kongresi mbarëshqiptar i Aleancës KuqeZi. Spahiu: Prioriteti bazë, largimi i këtij regjimi

Share

(E PERDITESUAR)- Kreshnik Spahiu mbajti një fjalim që mbajti pezull sallën. Ai tha se do jenë partnerë të SHBA. Spahiu deklaroi se ata nuk e shohin të keqen të fqinjët, por tek elitat e korruptuara shqiptare. Spahiu tha se PD e PS janë nofulla të një goje që punon për një stomak. Ai premtoi se do ndjekë Mubarakët e rinj deri sa të dalin para drejtësisë. Spahiu: Shqipërinë nuk do e bëjnë fëmijët e qeveritarëve që po shkollohen jashtë, por ne

Në një sallë të tejmbushur dhe tepër entuziaste në Pallatin e Kongreseve, Aleanca KuqeZi ka nisur kongresin e parë mbarëshqiptar. Nën drejtimin e një zëri të njohur si Gerta Heta, të rinjtë e pranishëm kanë duartrokitur ndërsa kongresi ka nisur me himnin shqiptar. Më pas është transmetuar videoklipi me këngën e lëvizjes Aleanca KuqeZi.

Gerta Heta ka rezervuar një përshëndetje për një mik special të këtij kongresi, ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu.

Përpara se në skenë të ngjitej Kreshnik Spahiu, është shfaqur një klip ku tregohej se si nisi beteja e Aleancës KuqeZi, fillimisht për çështjen e kufijve detarë e më pas kundër mafias në pushtet.

Të nderuar bashkëkombas, tungjatjeta bij të shqipes. Jemi mbledhur së bashku për të realizuar një ëndërr, por edhe për të nisur një rrugë të gjatë. Në këtë sallë janë valëvitur shumë flamuj, të PD e PS, por është harruar të valëvitet flamuri shqiptar, tha Spahiu në nisje të fjalës së tij

Viti 2012 e gjen kombin në një situatë politike e juridike të paprecedentë me disa himne, disa flamuj dhe si asnjë komb tjetër në botë, nuk dihet numri i popullsisë. Ky vit i gjen shqiptarët si kombi më i varfër në Europë, edhe pse jetojnë në një tokë të pasur e mesdhetare. Shqipëria e Kosova kanë nivelin më të ulët në Europë. Por edhe shqiptarët në Mal të Zi, Maqedoni e Serbi jetojnë në qytetet më të varfra. Viti 2012 i gjen shqiptarët si një geto periferike evropiane. Viti 2012 i gjen shqiptarët me dy qeveritë më të korruptuara. Viti 2012 i gjen shqiptarët në ndasi politike. Viti 2012 i gjen shqiptarët me të njëjtët liderë politikë të para dy dekadave, të cilët kanë uzurpuar karriget e pushtetit edhe që para se të lindin mijëra kuqezinj që janë në këtë sallë, vijoi Spahiu.

Më pas Spahiu sulmoi kryeministrin Sali Berisha.

Në 100 vjetorin e pavarësisë, këtij kombi iu cenuan integriteti territorial dhe për këtë duhet të ndëshkojmë qeverinë që nuk mund të quhet shqiptare, por tradhtare.

Ne vijmë në këtë Kuvend për të lidhur besën kundër një regjimi që po na mjeron e turpëron. Populli më proamerikan dhe rinia me qasjen më proevropiane ka një qeveri antiperëndimore. Ju nuk keni asgjë të përbashkët me njeriun që vishet me antiplumb, tha Spahiu.

AK vjen për herë të parë si një alternativë qeverisëse, më e mira, më e përgatitura, për të thyer themelet e partive tradicionale, që koha u ka perënduar.

Sot të gjitha rrugët kanë sjellë këtu përfaqësues nga të gjitha trevat, Shkodra, Gjirokastra, Vlora, Lushnja, Fieri, Kavaja, Lezha, Laçi, Prishtina, Tetova, Struga, Gjakova. Por këtu ka shqiptarë që kanë ardhur nga Italia, Londra, me qëllimin për të mos u kthyer më. Ky është ndryshimi mes kuqezinjve dhe demokratëve. Të jesh demokrat duhet të ikësh nga sytë këmbët.

Kreu i AK tha se: Prioriteti bazë është largimi i qeverisë dhe regjimit antikombëtar.

Dhe meqë në sallë ishte i pranishëm ambasadori amerikan, Spahiu tha se platforma e tyre do jetë në përputhje me atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kuqezinjtë simbolizojnë bashkimin dhe civilizimin. Ne duhet të jeim modeli i një sistemi të konsoliduar. Ne duhet të jemi garancia se platforma jonë qeverisëse do alternohet me atë të SHBA dhe BE që kanë investuar në Kosovë. Ne do jemi partner lokal i diplomacisë amerikane, tha Spahiu.

Ne nuk e shohim të keqen tek fqinjët, por tek elita e paaftë dhe e korruptuar shqiptare.

Kreu i AK kërkoi që shqiptarët në Maqedoni të mos përdorin flamuj arab e turq në protestat e tyre.

Për çështjen e Mitrovicës në veri të Kosovës, klanet e mafia rajonale kanë interesa strategjike për të shfrytëzuar pasuritë e nëntokës atje. Ne jemi me qëndrimin e SHBA për mosndryshim të kufijve dhe për moskëmbimin e territoreve, tha Spahiu.

Ne vijmë me një plan të qartë realist për zgjidhjen e çështjes çame me realizimin e një censusi për regjistrimin e pasurive shqiptare jashtë vendit.

Spahiu sulmoi ashpër dy partitë PD e PS, duke i quajtur të njëjta.

AK parashtron përpara të gjithë opinionit se ëndrra për bashkim e më pas për integrim janë tërësisht të realizueshme nëse rinovojmë elitat drejtuese me zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Shqiptarët e kanë kuptuar se PS e PD pavarësisht se shahen në parlament ditën, natën ndryshojnë Kushtetutën dhe nga ajo ditë u kanë thënë shqiptarëve nuk keni alternativë. PS e PS janë nofulla të një goje që bluan për një stomak. Zgjidhja nuk është që të zgjedhim të keqen më të vogël. Ne duhet të zgjedhim më të mirën më të madhe, tha Spahiu.

Shqipëria do bëhet sapo AK të hapë dosjet e spiunëve të shërbimeve të huaja në Shqipëri. Shqipëria do ribëhet kur AK të nisë strategjinë e rimëkëmbjes ekonomike mbarëkombëtare. Shqipëria ka sot një ekonomi konsumatore e primitive. Brenda dhjetë vitesh, të ardhurat ekonomike të shqiptarëve do jenë më të lartat në Ballkan, theksoi Spahiu.

Drejtuesi i AK deklaroi se ata do vënë drejtësi. Përndjekje të mubarakëve të rinj shqiptarë. Askush nuk do gëzojë paratë e vjedhura nga shqiptarët.

Në fund Spahiu iu premtoi të rinjve në sallë se: Shqipëria nuk do ribëhet nga fëmijët e qeveritarëve, që po shkollohen jashtë. Do bëhet nga ju.

Drejtësia e ndëshkimi nuk do vonojë, deklaroi Spahiu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›