E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbahu Kreshnik!

Por sot, numri dy i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, po i lëkundet më shumë se kurrë pozita. Kreshnik (hero epik, që paraqitet me forcë të  jashtëzakonshme e me veti përrallore,) Spahiu, ishte në Komisionin parlamentar të Ligjeve për të mbrojtur veten, atje ku edhe kanë nisur procedurat për shkarkimin e tij.

Ai tentoi të fliste gjatë mbledhjes, por kryetari i komisionit, Ilir Rusmajli, i kujtoi rregulloren. Debatet vazhduan për disa minuta dhe më pas, Spahiu braktisi mbledhjen.

Pavarësisht argumenteve që u përpoq të jepte, deputetët demokratët duket se kanë ndarë mendjen top për ta shkarkuar nga detyra. Plot 33 deputetë demokratë e kanë nënshkruar tashmë peticionin, ndërsa komisioni i Ligjeve miratoi kërkesën e propozuar, e cila më pas pritet të shkojë në Parlament ku do të jepet verdikti përfundimtar.

"Kreshnik Spahiu ka devijuar nga funksioni kushtetues dhe e ka zëvendësuar atë me veprimtari politike të papajtueshme me detyrën, duke mos përfaqësuar interesat në funksionin e drejtësisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, organ nga i cili është zgjedhur", thuhet ndër të tjerash në kërkesën e demokratëve.

Anëtarët socialistë të komisionit deklaruan se nuk do të bëhen pjesë e kësaj farse, duke braktisur mbledhjen dhe votimin. “Duhet te bëni komision hetimor për gjendjen e drejtësisë. Dje për ju, Spahiu ishte luftëtar i drejtësisë, sot i thoni horr e sharlatan”, tha deputeti Fatmir Xhafaj.

Spahiu: Komisioni ndaj meje antikushtetues

Në pamundësi për të shprehur qëndrimin e vet në komision, Kreshnik Spahiu pak orë më vonë dha një konferencë shtypi, ku sqaroi qëndrimin e tij në lidhje me çështjen. Sipas Spahiut, komisioni është antikushtetues. “Arroganca politike e përdorur, jo ndaj meje, por ndaj një titullari të lartë të shtetit shqiptar ishte evidente, deri në anomali logjike ku u thirrën rojet e sigurt për të nxjerr përjashta Zëvendëskryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kjo sigurisht është një ngjarje shumë e rëndë dhe e paprecedentë në historinë e parlamentarizmit dhe të drejtësisë e cila tashmë ndodhet në udhëkryqin më të madh, nën presionin dhe sulmin më frontal se kurrë më parë”, theksoi ai.

Spahiu tha se komisioni hetimor është i jashtëligjshëm. “Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë në asnjë rast nuk parashikohet shkarkimi i Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe as i anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, vijoi ai. Sipas zv/kryetarit të KLD-së, shkaku në bazë të cilit është kërkuar nisja e procedura të shkarkimit nuk përbën një shkak të parashikuar në Kushtetutë ashtu si kërkon “Neni 114/1 i Rregullores së Kuvendit.

Më pas, ai foli edhe për punën e bërë në KLD-së, duke nënvizuar se për më se një vit, janë denoncuar mijëra vendime gjyqësore, të cilat bien ndesh sipas tij, me parimet kushtetuese për shkak të ligjeve antikushtetuese të miratuara nga Parlamenti. Ai nuk la pa shpjeguar edhe qëndrimet e tij, për të cilat është akuzuar. “Është detyrim i çdo drejtuesi institucioni ta përfshijë institucionin në një frymë patriotike, pasi patriotizmi nuk është lëvizje politike por frymë e cila duhet të mbisundojë gjithë funksionimin e shtetit dhe institucioneve”, vijoi.

Gjithashtu, u shpreh se është i paprecedentë në 100 vite të shtetit shqiptar, që për shkak të ndjenjave patriotike të persekutohet politikisht titullari i një institucioni të lartë shtetëror. “Kërkesa e vazhdueshme e Kryeministrit në presion të hapur publik dhe politik ndaj meje është rasti i paprecedentë për sistemin parlamentar dhe demokratik, dhe një dhunim i hapur ku një pushtet kërkon të vendosë në kontroll politik pushtetin tjetër”, u shpreh më tej. 

Drejt Gjykatës Kushtetuese

Spahiu tha se nuk do të merrte pjesë në asnjë mbledhje të komisionit, teksa ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. “Unë tashmë prej ditës së sotme do t’i drejtohet gjykatës Kushtetuese me një kërkesë zyrtare për të vlerësuar kushtetutshmërinë e komisionit që propozohet të ngrihet për shkarkimin tim, i cili sigurisht me arrogancë do të bëjë të pamundurën për t’ia arritur qëllimit, duke shkelur, përdhosur dhe denigruar rënde imazhin e Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve, duke rrënuar dhe futur në llogoret e kontrollit të pushtetit qendror sistemin e drejtësisë, duke bërë si rëndomtë jemi mësuar të shohim rolin e të fortit me themelet e shtetit të së drejtës”, tha gjithashtu. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-01-18 14:24
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›