Mbani parasysh që femra pritet nga bukuria, përcillet nga mendja
A mjafton të jesh e bukur, të kesh marrë pjesë në një konkurs bukurie, në një shoë televiziv, siç ishte ai “Big Brother” apo “Kafazi i artë” e të tjera si këto dhe të jesh e mirëpritur kudo në media? Apo në vende pune nga më të preferuarat?
Është për të të ardhur keq kur ndodh kështu. Bukuria e tyre shpirtërore, inteligjenca dhe kultura janë ato që duhet të kenë rëndësi . Duhet theksuar me të madhe se truri shqiptar, që është jo i vogël në numër, po anashkalohet shumë. Promovojmë shpesh antivlerën si shoqëri dhe kjo është një nga defektet tona më të mëdha.
Ja se si ndodh me atë vajzën e spektakleve që përfundon dyerve të Prokurorisë. Dhe ajo nuk është e vetmja. Prandaj nuk është e pavend shprehja që: “Femra pritet nga bukuria, përcillet nga mendja”. Kjo duhet patur parasysh nga të gjithë pa përjashtim tek ata që kanë në dorë diçka, aty ku promovohen vlera njerëzore.
Jo pak shohim prezantuese programesh, spektaklesh, emisionesh televizive, që janë krejt bosh nga koka dhe nuk dinë ç’flasin.
Do sugjeroja që t’i kushtohet më shumë rëndësi, vlerë dhe vëmendje atyre që investojnë me tru për të ardhmen e tyre dhe të vendit të tyre, që djersijnë duke mësuar dhe që janë të stresuar tej mase nga mësimet e shumta dhe jo nga qejfet e pakufizuara, apo nga lodhja e madhe e xhirove me makina luksi.