Vëlla shpirtëror me Edison Ypin
Rreth përmbledhjes Qajtore të Edison Ypit. Nga qajtoret e vogla autori kalon tek ajo e madhja, Tirana, me pasunarët e rinj e të ardhurit e rinj, me gazetat “e pavarura” e me “lajme” boshe, me Parlamentin plot deputetë që s’u dëgjohet zëri, me fëmijë që shohin reklamat 0900, etj.
Një telefonatë. Me celular. Ku më shpreh mirënjohjen për një shkrim që kam bërë për romanin e Ani Wilmsit, mbesës së tij.
Biseda me celular zgjatet, sepse filloj unë tani t’i shpreh vlerësimin që kam prej kohësh për shkrimet e tij. Ndërsa po matem t’i them se bisedat me celular në Shqipëri…ai më propozon një takim për një kafe. Kështu kam rastin ta njoh Edison Ypin jo vetëm nga shkrimet. Tani i kuptoj më mirë fjalët që fliten për të: tip më vete. Kështu quhet te ne ai që mosdurimin ndaj vogëlsisë, egos së vogël, shpirtit të vogël e ka majë nervave. Ai që shpërthen i papërmbajtur përpara mendësisë prej bullari, e që është larg çdo diplomacie, llogarie e shtirjeje. Të përmbajturve, të llogariturve, atyre që janë “brenda shinave”, ua vrasin veshin shpërthimet e tij “të pazakonta”. Se ne duam të zakontën, atë që na duhet për të ruajtur status-quo- në. Sadoqë ndofta jemi të shqetësuar për gjendjen e gjërave. Ama pa vuajtur vërtet. Thellë-thellë edhe të kënaqur, se për vete i kemi siguruar ato që shumicës i mungojnë. Edhe Edison Ypi nuk është se s’i ka ato që shumicës i mungojnë. Por prapë nuk është aspak i kënaqur, aspak i qetë, aspak i lumtur. Përkundrazi.
Prej kohësh më kanë bërë përshtypje shkrimet e tij. Shpesh kam dashur t`i përgjigjem asaj ftesës së tij njeridashëse: shkruaji edison ypit, që ua drejton rregullisht lexuesve. Tani po i përgjigjem në njëfarë mënyre. Atë që kisha pasur kaq herë ndër mend t’ia shkruaja, ia thashë tani me ta takuar: - Pse nuk i përmbledh në një libër ato që ke shkruar?
Dhe ai sakaq më zgjat përmbledhjen me shkrimet e tij… si t’i quash? publicistikë? pamflete?…titulluar Qajtore (nga një fjalë e shqiptarëve të Kosovës përçajtoret, kafenetë). Ironik, sarkastik, autori tregon se nuk duron shumë gjëra, të gjitha ato gjëra që janë një fyerje për njeriun. Nuk duron sidomos dyfaqësinë, mendësinë nga të fryjë era, konformizmin. Nuk duron poshtërimin që i bëhet të dobëtit, fëmijëspa mbrojtje, pleqve, të humburve të dheut thellë fshatrave të braktisura, ku nuk shkel këmba e të kënaqurve.
Ky kolonjar më kujton kolonjarin tjetër kolerik e mosdurues ndaj shpinave të përkulura, Skënder Luarasin. Ndofta s’do të jetë dakord që po e quaj kolonjar. Se veten, plot krenari, e quan skraparlli. Ndofta edhe do të ngrejë zërin, me sa i ha zëri, siç e ka zakon. Po s`tremb dot. Se, skraparlli apo kolonjar, është gjind i zbutur. S’ka egërsi në shpërthimet e tij.
Më kujton edhe atë mjeshtrin e ndjenjës, të shumëvuajturin, Migjenin. Si ai e ndien në lëkurë të vet vuajtjen e një vëllai të Lulit të vocërr, Sulës.
“Sula ka baba një të verbër invalid prej shumë vitesh. Sula ka lindur gjatë viteve të verbërisë atërore! Sula është bir i pasionit të errësirës!” Sa shprehëse pikëçuditëset e tij! Ndiejmë sesa i dhemb autorit fati i këtij fëmije dhe sa i padrejtë i duket. Fëmijë i pjekur para kohe “e ka nisur jetën duke shkallmuar vdekjen. Sula u bën bunkerëve atë që bombat nuk ua bëjnë dot, u heq skalpin, kafkën, trutë, shpirtin, u merr hekurin….” Po ndërsa Sula i vogël “jeton jetë e vdekje përqafuar” burrërisht, pa u ndier, benzat e shtrenjtë me xhama të zinj harbojnë rrugëve “duke shqyer” në atë harbim edhe ndonjë plak të mjerë, se…do kalojë presidenti, kryeministri, ministri…Ballafaqim romantik tragjik klasash shoqërore, fatesh “të zgjedhur-të përbuzur”, tani në fillim të mijëvjeçarit të tretë… kur ky tipar i romantizmit, të paktën në vendet e zhvilluara, është i kapërcyer në letërsi. Sepse është pak a shumë i kapërcyer në jetë. Atje, Sulat, shteti i zgjuar, organizata të ndryshme në ndihmë tëfamiljeve e fëmijëve, komunitetet fetare etj. nuk i lënë në fatin e tyre. E dinë që dardha e ka bishtin prapa.Edhe Edison Ypi këtë paralajmëron: E gjithë shoqëria shqiptare do të paguajë haraç për trajtimin që po u bën Sulave. Nesër, kur të rritet…”ruhuni nga Sula. Mos thoni nuk e dinim kur të fillojë t’jua sheshojë skalpin dhe t’jua presë fytin me biçak…” Duke u ndier i pafuqishëm përpara pandjeshmërisë së përgjithshme, autori merr me gjithë shpirt anën e Sulës: “Kusur mos u lër, qenve. Nuk je vetëm! Zoti të ndihmoftë.”
Edison Ypin nuk e shohim të marrë penën për t`iu përgjigjur atij që mund të ketë sulmuar atë vetë. I sulet, me bateri të ngarkuara mirë, atij që i bie më qafë Shqipërisë. Ose dinjitetit njerëzor. Ose shijes së mirë.
Stilin e tij muskuloz, energjik, të pangatërrueshëm e keqkuptojnë, duke e marrë si shkelje të normave gjuhësore. Sepse lexojnë pa vëmendje, se nuk janë mësuar me larmi stilesh, se janë të gatshëm për keqkuptim. Edison Ypi, inxhinier me profesion, njeh mirë sintaksën e shqipes dhe pasurinë e fjalorit të saj. Shkrimet e tij sjellin një zë të veçantë në prozën shqipe. Dhe jo vetëm me stilin, me mënyrën si fut në lojë kalambure, vargje e rima e aliteracione brenda prozës, si thërret në ndihmë shprehjen hiperbolike për t`i dhënë forcë penës: Herët, shum herët asht Axh`, me u smun ti! Leni shkamijt e Malcis s`Madhe me u smun ata para teje…(Axh` Pjerini).
Megjithatë, proza e Edison Ypit mund të ishte më e përkujdesur. Ajo i ngjan një lumi që herë-herë del nga shtrati. Kur i ndodh kjo, nuk do t`i bënte keq një redaktim. Në disa raste, pakëz më e përmbajtur, pakëz më e shkarkuar, fraza e tij do të fitonte forcë shprehëse më të madhe. Ose, për shembull, një redaktor i kujdesshëm do t`i këshillonte që në shkrimin për gazetarin anglez A.A. Gill, të mos e shlyente fyerjen bërë Shqipërisë nga ky i fundit duke u përgjigjur me të njëjtën monedhë. Pra, të mos kalonte nga një individ te atdheu i tij, që në këtë rast është Anglia, me institucionet e kulturën e saj të admirueshme. Në shkrimin Ah, Rugova!, i dëshiruar që të shohë më në fund një udhëheqës shqiptar idealist e të patëmetë, e harxhon admirimin e tij pa skaj për një figurë mjaft të diskutueshme.
Shkrimet e Edison Ypit shquhen për përmbajtjen e për mesazhet që japin. Për atë ndjeshmëri ndaj problemeve të mëdha por edhe ndaj hollësish që shumicës tek ne i kalojnë pa u vënë re. Autori i ndien si një vuajtje vetiake plagët që e çojnë dëm kombin: përçarjen, korrupsionin, plogështinë, mendësinë përjashtuese…
Mesazhet që jep të vënë në mendime: Dua të gjithë të dinë se të duash nuk do të thotë të gjesh njeriun e përsosur, por të mësosh të shohësh njeriun e papërsosur përsosmërisht….Të vdes dua, nëse nuk dua”. Nga shpirti dhe pena e një shqiptari këto fjalë! Kjo filozofi prej shenjtori! Dua të gjithë shqiptarët e ikur të kthehen. Të vijnë të bashkohemi të gjithë nën këtë pluhur ndërtimtar, e, së bashku, po të lypet, edhe të vdesim nën atë pluhur. Sa më shumë shqiptarë t’i prekë kjo thirrje idealiste, aq më shpejt mëkëmbet Shqipëria e përgjunjur.
Në mos u hyn në shpirt të gjithëve kjo ftesë, ja ku, në një nga prozat më të bukura: Eja motër! provon t’u lutet plot përgjërim vajzave e grave shqiptare, si pjesë më e ndjeshme e shoqërisë: Eja motër, sa është gjallë Shqipëria!
Nuk lë edhe pa i batërdisur me të shara shqiptarët, të varfëruar prej vetë atyre: prej shtetit, prej qytetarëve, prej fshatarëve. O Zot si jemi katandisur, ku s`ka për të vjedhur, nuk ka as për të jetuar! (Skuterr)
Sarkazmës së tij nuk i shpëtojnë shkrimtarë që deri dje citonin një e dy Karl Marksin. Tani, as një as dy, drejt e te Karl Poperi. (Dhjetanik). Që e barazojnë veten me Zotin kur thonë: Unë si krijues! Që shkruajnë libra jo për t’u shitur e lexuar, por për të pasur mundësi të shkruajnë nëpër kurrikulume se kanë botuar kaq e aq tituj.
Sarkazma e tij arrin kulmin në proza si Kafkaz, ku tërheq vëmendjen për Saharat shoqërore e Antarktidat kulturore, rrjedhojë e mbrapshtive të djeshme, që po u harruan, ta shpërblejnë me ferrin.
Është një i panjohur për të një ish i përndjekur, që demokracinë e ka kuptuar si anarki (Gëzim Bajraktarit). Por thirrja që i bën për t’iu kthyer arsyes nuk ka si të jetë më njerëzore.
Fëmijë që nuk motivohen për të mësuar, për t’u zhvilluar e për të përparuar, që nuk marrin mesazhe të shëndetshme, të përshtatshme për moshën e tyre, që e mbushin kohën, si pleq, duke parë telenovela…ky është një shqetësim i madh i autorit. Këta fëmijë ai i sheh të bërë adoleshentë e të rinj kokëboshë, që merakun më të madh e kanë te pamja, te mjekrat e rruara me kujdes me gjeometri të studiuara.
Tjetër dhimbje pikëlluese: fshati shqiptar i braktisur, ku në mure kanë mbetur vetëm emra të gërricur të rinjsh shpërndarë nëpër botë si zogjtë e qyqes. Për të cilët askush s’di të të japë një përgjigje: S’ka defter ta mbajë (këtë përgjigje), as database, as kompjuter. (Fshati për karshi…)
Në prozën tjetër të fortë Qajtore, (të zgjedhur enkas si titull i vëllimit, si për të të kujtuar gjendjen e asaj nënës që s’dinte ç’t’i qante më parë të birit, Selmanit),paraqit si në një sekuencë filmike pamje të kohës: kafenetë pa mbarim. Pronarin gjithë tangërllëk e zinxhirë floriri. Vajza të reja që flasin e flasin duke i thënë njëra-tjetrës saktësisht asgjë. Djem vanitozë që shqiptojnë seriozisht marrina. Gazetofobin që thur e shthur parlamente e qeveri. Mesoburra që “bëjnë biznes” ulur në kafene me orë të tëra përmbys. Belkëputura që “provojnë” me shqiptarin e pandehur për italian. Dishepullin e betonuar pas sekteve fetare gjithfarësh. Vogëlushë që sulen të të shesin të njëjtat paketa e çakmakë. Familjarë, burra me namuz, që ditëve të punës i gjen në hotelet me orë të periferisë me sekretareshat. Halabakun e droguar që kërkon të ta shesë sapunin për djathë…
Nga qajtoret e vogla autori kalon tek ajo e madhja, Tirana. Me pasunarët e rinj e të ardhurit e rinj, që nuk ngurrojnë të shkelin edhe mbi familjen e vet, mjaft të mos u kujtojnë prejardhjen. Me gazetat “e pavarura” e me “lajme” boshe. Me Parlamentin plot deputetë që s’u dëgjohet zëri. Me fëmijë që shohin reklamat 0900, etj. etj.
Kineastët mund të gjenin plot lëndë për të krijuar metrazhe të shkurtra interesante e shprehëse nga këto proza.
Gjithkush ndan të njëjtat shqetësime e ndien një vëlla shpirtëror, Edison Ypin. Kush bën pjesë në vëllazërinë e të paqetëve për këtë gjendje të gjërave, që ndryshon por jo për mirë, le të gjejë një ngushëllim (duke perifrazuar) te fjalët e Sonjës në dramën aqtë dhimbshme të Çehovit “Xhaxha Vanja” ( që edhe atë s`e lamë pa e dhunuar keqas): Do të punojmë, vëlla, do të punojmë.