Mbarë pa veriun
Prishtinë, 3 prill - Për Fatlindën e diela nuk është ditë pushimi. Së paku jo gjatë këtyre dy javëve. Ajo me një çantë të kaltër në krah, ku shkruan REKOS, po troket në çdo derë të banesave në një lagje të Prishtinës. Fatlinda Sadriu është njëra prej qindra regjistruesve, të cilët që nga 1 prilli kanë filluar ta numërojnë popullatën.
Orari i regjistruesve fillon në orën 8 të mëngjesit dhe mbaron në orën 20 të mbrëmjes. Dita e tretë e regjistrimit për Fatlindën ka qëlluar të jetë më e mirë se të tjerat. Deri në mesditë ajo ka regjistruar gjashtë ekonomi familjare. “E diela pak ma e lehtë sepse njerëzit nuk janë në punë dhe gjetja nëpër shtëpitë dhe banesat e tyre neve po na e lehtësojnë punën”, tregon Fatlinda për Express. Terreni i saj është lagjja “Ulpiana” dhe gjatë 15 ditëve sa zgjat regjistrimi, e ka për obligim t’i regjistrojë deri në 200 familje.
Megjithatë, Fatlinda tregon se deri më tani nuk ka pasur asnjë problem dhe se gjithçka ka shkuar mirë. Por, më e befasuar ajo ka mbetur nga dëshira dhe mikpritja që po u bëhet nga qytetarët. “Nuk kam besuar se do na presin kështu. Të paktën po flas për këtë lagjen ku regjistroj unë njerëzit na kanë pritur shumë mirë. Por, kështu më kanë thënë edhe kolegët nga rajonet tjera”, tregon Fatlinda për Express.
Ky proces, që për herë të fundit është mbajtur para tridhjetë vitesh(1981), është mirëpritur edhe nga qytetarët. Ejup Zeneli nga Prishtina tha se është shumë me rëndësi të dihet se sa banorë ka vendi. “Kur dihet se gjithnjë janë luajtur me shifra dhe se që tridhjetë vjet nuk jemi regjistruar, kjo që ka filluar është një gjë shumë me rëndësi të madhe”, thotë Ejupi pasi që iu përgjigj të gjitha pyetjeve të regjistrueses. Ejupi është regjistruar për herë të fundit kur ka qenë i ri, i pamartuar.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...