Konsensus ose bojkot
Këshilli i Përgjithshëm i LDK’së i ka dhënë mbështetje të plotë Kryesisë dhe Grupit Parlamentar në raport me çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës.
Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së janë pajtuar të dielën me qëndrimet e Kryetarit Isa Mustafa, se LDK mund të marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e Presidentit vetëm nëse paraprakisht partitë parlamentare arrijnë një marrëveshje politike.
Partia më e madhe opozitare nuk ka lëvizur nga qëndrimet e saj edhe pas kërkesave të Ambasadës amerikane dhe atyre evropiane që të mos të bojkotohet zgjedhja e Presidentit.
LDK e ka të qartë se qëndrimi i saj për bojkot mund ta çojë vendin edhe njëherë në zgjedhje të parakohshme.
Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, deklaroi se ka marrë mbështetje të plotë nga Këshill i Përgjithshëm për çështjen e Presidentit të Kosovës.
“E morëm përkrahjen e Këshillit Qendror për qëndrimet që kemi pasur deri tani, qëndrime të njohura të Lidhjes Demokratike që kanë të bëjnë me nevojën që të arrihet një marrëveshje në mes të partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës rreth zgjedhjes së Presidentit dhe që zgjedhja e Presidentit të jetë rezultat i një marrëveshjeje politike, që do të shprehte interesat, jo vetëm të partnerëve të koalicionit, por edhe të atyre që janë në opozitë, përkatësisht të qytetarëve të Kosovës”, tha Mustafa.
Sipas tij, LDK nuk këmbëngul në emra të përveçëm, kur bëhet fjalë për Presidentin, por, siç tha ai, këtu bëhet fjalë për konsensus politik.
“Ne nuk iu kemi referuar kandidaturave të veçanta, por çështjeve parimore që kanë të bëjnë me uljen në një tryezë të subjekteve politike për t’u marrë vesh për këtë çështje”.
Ai tha se nëse thirret seancë e re për zgjedhjen e Presidentit pa u arritur marrëveshja e kërkuar nga LDK, grupi i saj parlamentar do të bojkotojë sërish.
Por, a është e gatshme LDK për zgjedhje të jashtëzakonshme?
“Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë zgjedhje demokratike dhe për çdo proces demokratik ne jemi të gatshëm”, tha Mustafa.
Anëtarë të Këshillit Drejtues të LDK’së kanë treguar në kushte anonime se në takimin e së dielës nuk ka pasur ndonjë zyrtar i partisë që ka rekomanduar ndonjë rrugëzgjidhje tjetër për gjendjen e krijuar në vend, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Këshilli ka rekomanduar që me propozim të partive në pushtet të ulen partitë parlamentare dhe të krijojnë një agjendë për të filluar ndryshimin e Ligjit zgjedhor dhe në vitin e ardhshëm, kur të përgatiten ndryshimet, me hy në zgjedhje të reja, të organizuara më mirë”.
Edhe anëtarë tjerë të Këshillit të Përgjithshëm kanë treguar për Express se LDK është e vendosur në qëndrimin e saj dhe nuk do të lëshojë pe, çoftë edhe nëse vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Inati më i madh është se neve nuk po na thërret për t’u konsultuar kryetari i Kuvendit, i cili është edhe U.D President”, ka thënë një zyrtar i LDK’së.
Zgjedhjet partiake
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së, të dielën është diskutuar edhe për përsëritjen e zgjedhjeve në disa degë të partisë.
Zyrtarë të LDK’së nga Gjakova kanë kërkuar që përsëritja e zgjedhjeve të mos nisë nga zeroja, por nga struktura më të larta të degës. Kërkesa të tilla, sipas një burimi të Express brenda Këshillit, kanë shfaqur edhe degët tjera.
“Pasi i ka dëgjuar këto kërkesa, kryetari Isa Mustafa u ka bërë të qartë përfaqësuesve të këtyre degëve se nuk kanë të drejtë të kërkojnë diçka që bie ndesh me vendimin e Kryesisë Qendrore. Kryetari tha se zgjedhjet në degët e LDK’së do të mbahen nga niveli më i ulët, ashtu siç ka vendosur Kryesia javë më parë”, ka thënë zyrtari i lartë i LDK’së.