LDK këmbëngul për një president konsensual

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se zgjedhja e presidentit të Kosovës duhet të jetë rezultat i një marrëveshjeje konsesuale të partive politike, në të kundërtën LDK-ja nuk do të përkrahë zgjedhjen e shefit të shtetit.
Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i cili përbëhet nga 107 anëtarë, është mbledhur të dielën në një takim rreth dy orësh, për të diskutuar situatën e re politike të krijuar pas aktgjykimit të Kushtetueses se zgjedhja e Behgjet Pacollit për president ishte jo kushtetuese.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka përsëritur kërkesën e saj për një marrëveshje konsensuale për zgjedhjen e presidentit të vendit, në kohën kur koalicioni qeverisës është lëkundur pas kërcënimit të AKR-së për të shkëputur koalicionin me PDK-në.
“Ne sot e patëm një mbledhje të Këshillit Qendror të LDK-së, biseduam për çështjet aktuale politike në vend, dhe me ato që kanë të bëjnë me zgjedhjen e presidentit të Republikës. Morëm përkrahjen e Këshillit qendror për qëndrimet që ne kemi pasur deri më tani që janë qëndrime të njohura të LDK-së. Qëndrime që kanë të bëjnë me nevojën që të arrihet një marrëveshje mes partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës rreth zgjedhjes së presidentit dhe zgjedhja e presidentit të jetë rezultat i një marrëveshjeje politike që do të shprehë interesat jo vetëm të subjekteve politike që janë në pozitë, por edhe të atyre që janë në opozitë, përkatësisht të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Mustafa.
I pyetur se a do të përkrahë LDK-ja kandidaturën e Behgjet Pacollit për president, Mustafa ka thënë se gjatë mbledhjes nuk i janë referuar mbështetjes së kandidaturave.
“Ne nuk iu kemi referuar mbështetjes së kandidaturave të çështjeve të veçanta, por çështjeve parimore, që kanë të bëjnë me uljen në një tryezë me subjektet politike për t’u marrë vesh me këto çështje. Qëndrimi do të jetë ai që ka qenë deri më tani”, ka thënë ai.
Sa i përket gatishmërisë së LDK-së për të marrë pjesë në rast se mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, Mustafa është shprehur se subjekti politik që ai drejton është i gatshëm për çdo proces politik, ndërsa nuk ka bërë të ditur nëse LDK-ja do të bojkotojë seancën ku do të bëhet zgjedhja e presidentit.
“Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë politike dhe për çdo proces politik ne jemi të gatshme”, ka theksuar Mustafa.
LDK kishte bojkotuar seancën e Kuvendit më 22 shkurt, në të cilën u bë zgjedhja e Behgjet Pacollit për president.
Gjykata Kushtetuese mospraninë e opozitës në seancën e 22 shkurtit e kishte interpretuar si cenim të Kushtetutës, ndërsa ua ka përkujtuar deputetëve opozitarë nenet dhe rregullat, sipas të cilave ata duhet të qëndrojnë në seancë kur të votohet presidenti, por nuk i kishte urdhëruar të rrinë domosdo në seancë.
Pas këtij interpretimi, kishte reaguar edhe Ambasada e SHBA-ve dhe shefi i ICO, Piter Feith, të cilët kanë kërkuar nga subjektet politike opozitare që të mos e braktisin seancën e Kuvendit, kur të votohet presidenti. /kosovapress/