E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbërrijnë 735 zarfet e para me votat e diasporës shqiptare jashtë vendit, Celibashi: Procesi po zhvillohet në përputhje me protokollin e KQZ

Mbërrijnë zarfet e para të votave të diasporës shqiptare jashtë vendit në Shqipëri.  Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një prononcim për mediat mbrëmjen e së enjtes informoi se deri tani kanë mbërritur 735 zarfe me votat e shqiptarëve jashtë vendit, të cilat po administrohen nga KQZ.

Nga Parku Olimpik në Tiranë ku po administrohen dhe do të ruhen zarfet e para me votat e diasporës, Celibashi u shpreh se procesi po zhvillohet në përputhje me të gjithë protokollin që KQZ kishte parashikuar për marrjen në dorëzim të dokumentacionit zgjedhor që mbërrin në territorin e Republikës së Shqipërisë.

“Deri tani kanë mbërritur 735 zarfe, ose vota më mirë të themi. Sapo bëmë evidentimin e dy zarfeve me votave të para. Njëra ishte nga Gjermania dhe i përket qarkut Berat, tjetra ishte për qarkun Dibër dhe vinte nga Franca. Dy zarfet e parë që ne hapëm janë të rregullt nga çdo pikëpamje”, tha Celibashi. .

Kryekomisioneri i Zgjedhjeve, me këtë rast, ka sqaruar edhe një herë për mediat procedurat e administrimit të zarfeve që kanë Brenda tyre  votën e diasporës.

“Fillimisht ne grisim zarfin e DHL-së. Poshtë zarfit të DHL-së nxjerrim zarfin B, i cili përmban zarfin A dhe brenda zarfit A gjendet fleta e votimit. Të gjitha zarfet B ndahen sipas qarqeve dhe depozitohen në kutitë përkatëse të votimit të qarqeve përkatës. Në datën 11 maj, pasi të përfundojë procesi i votimit dhe të fillojë procesi i numërimit, do të nxjerrim zarfet B nga kutia. Pas zarfit B do të nxjerrim zarfet A. Zarfet A, të gjithë do të grumbullohen në një kuti tjetër të veçantë, me qëllim që mos të identifikohet se kujt i përket zarfi A. Më pas fillon procesi i numërimit”, sqaroi Celibashi.

Ai e ka sqaruar procedurën duke e ilustruar me Qarkun e Tiranës. Celibashi tha se në momentin që do të fillojë procesi i numërimit për qarkun e Tiranës për votat brenda vendit, do të fillojë edhe procesi i numërimit dhe vlerësimit të  votave të votuesve nga jashtë që janë të regjistruar në Qarkun e Tiranës.

I pyetur mbi elementët e sigurisë, Celibashi sqaroi se kutitë do të qëndrojnë në këtë ambient, që është i mbikëqyrur me kamera 24/7.

“Në gjashtë kanale transmetohen pamjet në Youtube. Ato janë kanale të KQZ-së, gjë që do të thotë se edhe vetë votuesit që kanë interes dhe kuriozitet, mund ta vëzhgojnë dhe mund ta ndjekin procesin se çfarë ndodh në këtë ambient. Por nga ana tjetër, partitë politike, vëzhgues të ndryshëm, kanë mundësi që të jenë prezent 24/7 në këtë ambient për të parë se si administrohen këto kuti. Janë edhe forcat e policisë, por janë edhe përfaqësues të partive politike në mënyrë permanente, nëse dëshirojnë që të jenë”, tha ai.

Celibashi sqaroi se çdo zarf që do të ketë orën e hyrjes. Ato që vijnë pas datës 11 maj ora 19:00, nuk t’i nënshtrohet procesit të numërimit dhe vlerësimit.

Duke folur mbi procesin e shpërndarjes së fletëve të votimit, Celibashi informoi se janë 2 qarqe ku ende nuk ka filluar shpërndarja. Ato janë Qarku i Shkodrës dhe i Vlorës.

“Gjithë qarqet e tjera janë në proces përpunimi të dokumentacionit dhe dërgimit përmes DHL-së në shtetet përkatëse. Deri para dy orësh janë rreth 80 mijë persona që kanë marrë zarfin”, tha Celibashi.

I pyetur mbi shqetësimet e opozitës për operatorin postar që shpërndan zarfet, Celibashi theksoi se “zarfet shpërndahen të gjithë nga DHL dhe marrëdhënia kontraktuale e KQZ-së është me DHL-në”.

“Por natyrshëm ka shtete apo rajone të caktuara të shteteve të ndryshëm ku DHL nuk e ka vetë shërbimin dhe ka operatorë të tjerë. Në dijeninë tonë nuk ka asnjë operator global që të ketë shtrirje në çdo qytet dhe fshat të globit. Kjo është në përputhje me parashikimet kontraktuale dhe nuk besoj se ka shqetësim, nëse nuk konsiderohet shqetësim fakti se këto zarfe janë dorëzuar në votuesve të caktuar nga një nënkontraktor i DHL-së. Edhe për shtete si Irani apo Rusia, meqenëse për shkak të politikave të sanksioneve që ka vendosur BE, DHL nuk operon në këto dy shtete, sipas asaj që kompania na ka bërë me dije normalisht do të kontraktoj një kompani lokale për ta kryer këtë shërbim”, sqaroi Celibashi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›