E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbërrijnë edhe 31 refugjatë muxhahedinë në Shqipëri

TIRANË -Ministria e Brëndshme bën të ditur se më datë 10 korrik, ka mbërritur në Rinas (Tiranë) grupi i pestë i muxhahedinëve prej 17 personash nga ish kampi Ashraf i Irakut, në vijim të zbatimit të marrëveshjes për strehimin në Shqipëri të 210 muxhahedinëve, e cila është një përgjigje e qeverisë shqiptare ndaj kërkesës së qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjithashtu në njoftimin për mediat bëhet e ditur se në datë 12 Korrik 2013, ka mbërritur në Rinas (Tiranë) edhe grupi i gjashtë i muxhahedinëve prej 14 personash nga ish kampi Ashraf i Irakut.

Ata vijnë në Shqipëri nëpërmjet UNHCR, në përgjigje të kërkesës së qeverisë së SHBA, e cila ka në mbikëqyrje kampin Ashraf në Irak.

Deri më tani numri i personave të pranuar për mbrojtje ndërkombëtare që vijnë nga ish kampi Ashraf i Irakut, ka arritur në 76 individë. Qeveria shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Brendshme ka marrë të gjitha masat për akomodimin dhe qëndrimin e sigurt të këtyre personave në Qendrën e Pritjes së Azilkërkuesve në Shqipëri.

Në bazë të marrëveshjes së arritur, do të vijojë mbërritja e refugjatëve të tjerë në ditët e ardhshme, pjesë e grupit prej 210 personave, që Qeveria Shqiptare ka vendosur t’i pranojë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Qeveria ka marrë të gjitha masat për sistemimin e tyre në apartamente banimi të përshtatshme duke siguruar transferimin e tyre nga Qendra e Pritjes në banesat e tyre, brenda një kohe të shkurtër dhe trajtimin sipas të gjitha standardeve të parashikuara nga e drejta ndërkombëtare dhe konventat e njohura nga Republika e Shqipërisë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›