Mbërrijnë në Shqipëri 182 turistë nga Sharm el Sheik. Policia arreston drejtuesen e agjencisë turistike
Të ti kthejnë pushimet në makth. Kështu mund të përkufizohet sjellja e agjencisë Pasha Holidays, që la në mes të katër udhëve turistët e saj. Udhëtimi i ndërmarrë nga agjencia turistike Pasha Holiday nisi më 2 gusht dhe duhej të përfundonte të hënën më 13 gusht. Por pushuesit janë ndeshur me një fakt të hidhur.
Agjencia nuk kishte paguar biletën e tyre të kthimit, edhe pse njoftohet se ata e kanë paguar të plotë paketën turistike. Kështu që ata e panë veten të flakur jashtë dyerve të hotelit dhe pa lekë për të siguruar biletën e kthimi, ndërkohë që agjencia kishte shpallur falimentin, edhe pse pagesa e paketës së tyre ishte bërë e plotë në shumën 600 euro çifti. Kështu që atyre iu desh të sorollateshin në dyert e ambasadës në Kajro dhe disave prej tyre iu mundësua bileta e kthimit në Shqipëri. Aktualisht në Shqipëri kanë mbërritur 182 persona, që paguan vetë shumën 250 euro personi. Avioni i nisur në orët e mbrëmjes nga aeroporti i Sharm el Sheik zbriti në orën 01:00 në aeroportin Nënë Tereza, ndërkohë që personat, të cilët nuk mundën të transportoheshin me avionin e vënë në dispozicion, njoftohet nga Ministria e Jashtme se tashmë ndodhen nën kujdesin e ambasadës shqiptare në Kajro, në pritje të rikthimit në atdhe në një kohë sa më shpejtë.
Agjencia turistike Pasha Holiday me pronare Marselinda Kërtoçi bëhet e ditur se këtë e ka pasur mashtrimin e radhës pasi mësohet se kjo agjenci ka mashtruar jo vetëm turistët të cilët i braktisi në Sharm el Sheik, por dhe shtetas të tjerë shqiptarë, të cilët kishin bërë pagesat, por asnjëherë udhëtimin turistik. Tashmë është bërë ndalimi i shtetases Marselinda Kortoçi, pronare e agjencisë turistike Pasha Holiday, nga agjentët e krimit ekonomiko-financiar për arsye se kjo shtetase dyshohet se iu ka marrë personave të ndryshëm shuma të konsiderueshme për ti çuar për pushime verore në Sharm el Shaik, Egjipt.
Arrestimi i 27 vjeçares me banim në Tiranë është bërë sot nga sektori kundër krimit ekonomik financiar në policinë e kryeqytetit me akuzën e mashtrimit, fshehje të të ardhurave, fshehje e gjendjes së falimentimit, parashikuar nga nenet 143/2, 180 dhe 194 të Kodit Penal. Sipas Policisë së Tiranës, turistët kanë kryer pagesat të paketës turistike, por Pasha Holiday nuk ka siguruar më pas rikthimin për në Shqipëri.
Arrestimi i saj u bë pasi iu kthye një përgjigje autoriteteve shqiptare ku thuhej se agjencia Pasha Holiday nuk kishte kryer asnjë pagesë për akomodimin në hotel të turistëve.
Deklaratë kjo që rrëzon pretendimin e 27-vjeçares Kërtoçi, e cila kishte thënë më herët se i kishte kryer të gjitha pagesat dhe se nuk kishte asnjë dijeni se çfarë kishte ndodhur më tej.