E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëgjyqësia e Nazmije Vishës dhe mesazhi i rrjeteve sociale: Ia bëri mirë!

Nga Mustafa Nano

Fiqiri Muça e ka dhunuar fizikisht dhe seksualisht. E ka mbajtur 11 ditë. Ai donte ta trafikonte. Ai u çonte mesazhe të gjithë pjesëtarëve të familjes. Nazmijes po se po, por edhe gjyshërve e xhaxhallarëve të saj. U thoshte do ju pres e do ju vras. Këtë dëshmi e bën nusja e xhaxhait të Nazmije Vishës (fotoja flou e këtij shënimi është e Nazmijes), vajzës 18 vjeçare të dhunuar e të përdhunuar nga 45 vjeçari Fiqiri Muça, vëllai i burrit të motrës së vet, që para tri ditësh bëri vetëgjyqësi duke e ndjekur me automatik, nëpër natë, jashtë shtëpisë së gjyshërve të saj, në Krrabë, ku Muça kish shkuar për ta rrëmbyer, dhe duke e lënë të vdekur.

Kjo është një ngjarje që ka tërhequr vëmendjen e shumëkujt, dhe të bën përshtypje mirëkuptimi kolektiv i gjestit të vajzës 18 vjeçare. Në site, blogje e rrjete sociale ka komente të panumërta, të cilat përcjellin mesazhin mirë ia bëri. Është me sa duket edhe kjo periudhë e sundimit të krimit të dalë jashtë kontrollit, dhe e pranisë zero të strukturave shtetërore pranë njerëzve në nevojë, që prodhon jo vetëm vetëgjyqësi, por dhe mirëkuptim për akte të tilla. Mungesa e shtetit e ka shndërruar këtë vend në Far West. Si për të ilustruar këtë fakt, i ati i vajzës 18 vjeçare, Beqir Visha, në një intervistë për televizionin News 24, është shprehur: Falenderoj bijën time për veprimin që ka bërë, pasi i ktheu nderin familjes. Më tej, ai është shprehur se nuk e fal familjen Muça; nuk ndahemi me kaq; më kanë dhe dy gjaqe të tjera për të larë.

http://respublica.al/artikuj/2012/08/14/vetgjyqesia-e-nazmije-vishes-dhe-mesazhi-i-rrjeteve-sociale-ia-beri-mire

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›