Mbërrin në 6 numri i viktimave
21/12/2009 Gripi i derrit, viktima e radhës një 57 vjeçare nga qyteti i Kukësit, vuante nga s’munde të tjera
Mjekët këshillojnë marrjen e vaksinës e cila po shpërndahet në spitale për grupet e riskut
Virusi i gripit të derrave shkakton një tjetër viktimë në vendin tonë, duke e çuar në gjashtë numrin e personave që kanë humbur jetën për shkak të komplikacioneve të shkaktuara nga kjo sëmundje. Drejtuesit e spitalit infektiv pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë konfirmuar gjatë ditës së djeshme vdekjen e 51-vjeçares nga qyteti i Kukësit. Pacientja ishte paraqitur në gjendje të rëndë shëndetësore dhe prej më shumë se tri ditësh po trajtohej në repartin e terapisë intensive pranë spitalit infektiv. Mjekët kanë pohuar se përveç virusit A/H1N1 pacientja vuante edhe nga tuberkulozi dhe kardiopatia kronike. Rënia në kontakt e këtyre dy sëmundjeve me virusin e gripit të derrave e ka rënduar edhe më shumë gjendjen shëndetësore të pacientes, duke e bërë të pamundur rezistimin e saj ndaj trajtimit mjekësor. Ndonëse nga autoritet drejtuese të shëndetësisë është deklaruar se fluksi i përhapjes së gripit ka pësuar rënie krahasuar me muajin nëntor dhe javën e parë të muajit dhjetor, fatkeqësisht në dy javë janë shënuar jo pak, por gjashtë viktima. Ndërkohë mbetet ende i lartë numri i pacientëve që janë në gjendje të rëndë, të cilët po i nënshtrohen trajtimit të specializuar në spitale. Sipas mjekëve, situata e krijuar tregon se ky virus mund të bëhet edhe më shumë agresiv, veçanërisht për grupet e rriskuara. Për të parandaluar rastet problematike këshillohet që për kategoritë e të sëmurëve kronikë, të cilët vuajnë prej vitesh nga sëmundje të caktuara, si ato të zemrës, të mushkërive apo dhe me tumore, të tregohet kujdes maksimal, pasi te këta virusi mund të mbartë pasoja fatale për jetën. Gjithashtu kujdes i veçantë duhet treguar edhe për gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël që kanë kaluar viroza të stinës apo probleme të tjera të rrugëve të frymëmarrjes. Për këto të fundit këshillohet vaksinimi i menjëhershëm kundër A/H1N1. Mjekët gjithashtu shtojnë se një masë e mirë parandaluese është edhe mbajtja e një higjiene të rrepte personale, ku këshillohet larja e duarve disa herë gjatë ditës si dhe shmangia e qëndrimit në ambiente që janë shumë të populluara. Sipas të dhënave të publikuara në vendin tonë, rezultojnë të prekur nga ky virus më shumë se 350 persona, ndërsa mosha mesatare e të prekurve rezulton të jetë 23 vjeç. Pjesa dërrmuese e rasteve të gjetura i përkasin kryeqytetit. Shfaqja e kësaj sëmundjeje manifestohet me temperaturë të lartë, ethe, dhimbje të fortë koke, dhimbje fyti dhe trupi, çrregullime të tretjes, rrufë, teshtitje, skuqje të syve dhe të fytit, dobësi të përgjithshme, kollë të thatë, pakësim oreksi.
Rastet e viktimave
Më 3 dhjetor shënohet viktima e parë nga ky virus: 57-vjeçari që vuante edhe nga tumori i prostatës si dhe kishte kaluar infarkt miokardi të një forme të agravuar. Më 11 dhjetor regjistrohen dy viktima të tjera, dy persona nga Shkodra: një 53-vjeçar, që vuante nga pneumonia masive bilaterale, dhe një paciente 47-vjeçare, e cila vuante nga hipertensioni arterial dhe hiperobeziteti. Më 12 dhjetor u shënua rasti i katërt, ku humbi jetën një 31-vjeçar nga Vlora. Viktima e fundit ishte vajza 18-vjeçare shtatzënë, që humbi jetën para disa ditësh.
Kategoritë e riskut
Rrezikshmëria e infeksionit nga virusi i ri pandemik A/H1N1 është veçanërisht e lartë në pacientët me sëmundje kronike të zemrës, të mushkërive apo dhe me tumore. Gjithashtu pjesë e grupit të riskut janë edhe pacientët që vuajnë nga probleme të veshkave, pacientët me sëmundje gjaku, me probleme metabolike, si diabeti ose ata me sistem imunitar të dobët. Këto kategori duhet të tregojë kujdes të veçantë që të mos ekspozohen në ambiente të mbipopulluara, ku përhapja e virusit është tepër e lehtë. Ndërkohë kërkohet kontaktimi i mjekut menjëherë sapo të shfaqen simptomat e para, qofshin këto edhe të një gripi të zakonshëm. Për këto shtresa gjatë kësaj jave pritet të jepet vaksinat mbrojtëse.
Trajtimi
Tashmë ka nisur shpërndarja e 10 mijë dozave të para të vaksinës që janë siguruar për vendin tonë. Këshillohet marrja e kësaj vaksine nga kategoritë e riskut, të cilat janë përcaktuar tashmë. Ofrimi i vaksinës do të bëhet pranë qendrave shëndetësore, por edhe pranë spitaleve, sipas një plani të caktuar dhe pohet se nuk mbartin efekte anësore në shëndet. Gjithashtu është e domosdoshme që për të gjithë personat që shfaqin shenja, si: temperaturë të lartë, ethe, dhimbje të fortë koke, dhimbje fyti dhe trupi, çrregullime të tretjes, rrufë, teshtitje, skuqje të syve dhe të fytit, dobësi të përgjithshme, kollë të thatë, pakësim oreksi, të kërkohet menjëherë ndihma e specializuar e mjekut, në mënyrë që të parandalohen në kohë komplikacionet.