E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taçi fajtor, dosja e plotë në gjykatë

21/12/2009  Kërkesa për gjykimin e Prokurorisë rreth fakteve të goditjes së gazetarit Mero Baze
Prokurori Tako përmend dëshmitë dhe provat kundër biznesmenit të naftës
TIRANË- Gazetari Mero Baze është goditur për shkak të detyrës. Ky ishte konkluzioni i përfundimit të hetimit të Prokurorisë së Tiranës, ndaj biznesmenit të naftës si dhe Irgen Selfos dhe Bledar Lilos, dy të afërmve të kompanisë. Prokurori Gjergji Tako i ka dhënë fund mbledhjes së fakteve dëshmive dhe provave mbi këtë ngjarje duke e dërguar atë për gjykim në gjykatën e Tiranës. Në bazë të provave të siguruara dhe dëshmitarëve në vendngjarje, Prokuroria është bindur se ka qenë pikërisht biznesmeni Rezart Taçi që ka qëlluar mbi gazetarin në një nga lokalet e kryeqytetit. Megjithëse në daljet e tij publike biznesmeni ka hedhur poshtë këto fakte të denoncuara fill pas ngjarjes, në kërkesën për gjykim të përfunduar nga prokurori i çështjes sqarohet se ngjarja e ndodhur më 2 nëntor në një lokal të bllokut ka ndodhur pas publikimit të fakteve komprometuese ndaj biznesmenit. Gazeta “Metropol” ka siguruar të plotë kërkesën për gjykim.
Sherri, dëshmitë
Rezart Taçi, së bashku me Irgen Selfon, nipin e tij, si dhe shoferin e kompanisë, Bledar Lilo, kanë qëlluar mbi gazetarin Baze dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. Sipas Prokurorisë, pas një debati me gazetarin Mero Baze, tre agresorët e sulmuan atë të fundit duke e goditur me sende të forta. Rreth orës 23:10 minuta, në kohën që Baze kishte vetëm 15 minuta që kishte mbërritur dhe po priste ushqimin e porositur, ndaj tij kanë ardhur një sërë sharjesh dhe ofendime nga biznesmeni Rezart Taçi. Ky i fundit ishte drejtuar drejt tavolinës ku ishin gazetarët Andi Bushati, Arben Hasani dhe Mero Baze, për të sqaruar ofendimet e ndërsjella mes tyre. Ndërkohë, ndaj gazetarit Baze janë vërsulur me gjithë forcën e tyre dy shoqëruesit e biznesmenit Taçi duke e qëlluar me grushte për të cilat ka marrë edhe mjekimet e nevojshme. Më vonë kanë ndërhyrë Andi Bushati dhe Arben Hasani, por pa mundur ta neutralizojnë sulmin. Pas këtij momenti të pandehurit Rezart Taçi së bashku me të pandehurit Irgen Selfo dhe Bledar Lilo janë larguar. Mekanizmin e ngjarjes e konfirmojnë edhe deklaruesit Andi Bushati, Arben Hasani, Ilir Buhali dhe Klemant Marku, dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes.
“Sulmet” e Bazes ndaj Taçit
Gjithashtu hetimi ka provuar se i dëmtuari Mero Baze dispononte dokumentin e gazetarit të “Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve” me seli në Bruksel. Gjithashtu dokumentin e gazetarit e të botuesit të gazetës “Tema”, dokumente këto të administruara në fashikullin e hetimit. Po ashtu është provuar se motivi i ngjarjes ka qenë shtetasi Mero Baze me kontratën e sipërmarrjes së datës 01.09.2009, është i punësuar si gazetar pranë televizionit “Vizion Plus”, me objekt realizimin dhe prezantimin e emisionit të përjavshëm “Faktor Plus”. Në vijimësinë e këtij emisioni ky gazetar ka “denoncuar” e trajtuar disa veprimtari sipas tij të dyshimta, të të pandehurit Rezart Taçi. Fakte të cilat provohen me CD e emisionit “Faktor Plus” datë 16.12.2008 me temë “Abuzimet e ARMO me naftën”, CD e emisionit “Faktor Plus” datë 22.01.2009 me temë “Rritja e akcizës së naftës”, CD e emisionit “Faktor Plus” datë 25.05.2009 me temë “Nafta dhe fushata elektorale”, CD e emisionit “Faktor Plus” datë 27.10.2009 me temë “Çështja e skandalit të ARMO-s”, CD e emisionit “Faktor Plus” datë 02.11.2009 me temë “Përdorimi i policisë për interesa të Berishës”. Gjithashtu i dëmtuari Mero Baze në cilësinë e botuesit të gazetës “Tema” në datën 25.10.2009 ka botuar “Taçi sfidon shtetin” si dhe 4 ditë më vonë një shkrim me titullin “Taçi fut në kolaps Albpetrolin”, artikuj të cilat janë administruar në cilësinë e provës në fashikullin e hetimeve.
Akuza
Në këto rrethana janë marrë në cilësinë e të pandehurve akuzuar për veprën penale të "Goditjes për shkak të detyrës në bashkëpunim" e parashikuar nga neni 237-25 i Kodit Penal, Rezart Taçi, Irgen Selfo dhe Bledar Lilo. Të pandehurit janë njohur me akuzën dhe janë pyetur rreth saj, konform të drejtave procedurale në prani të avokatëve mbrojtës të tyre, të cilët kanë deklaruar se akuzën nuk e pranojnë. Sa më sipër provohet plotësisht vepra penale e “Goditjes për shkak të detyrës" e parashikuar nga neni 237-25 i Kodit Penal në ngarkim të të pandehurve Rezart Taçi, Irgen Selfo dhe Bledar Lilo. Të pandehurit e kanë kryer veprën penale me veprime aktive duke cenuar marrëdhënien juridike të vendosur për të siguruar veprimtarinë e rregullt shtetërore apo të shërbimit publik si dhe personin që kryen detyrë shtetërore apo shërbim publik e mbrojtur me këto ligje. Rrethanat e mësipërme, akuza dhe fajësia në ngarkim të të pandehurve Rezart Taçi, Irgen Selfo dhe Bledar Lilo provohet me këto prova: Procesverbalin e kallëzimit penal të 03.11.2009, procesverbalet e arrestimit në flagrancë të datës 03.11.2009, vendimet për kryerjen e ekspertimit, aktin e ekspertimit mjekoligjor, procesverbalet e kërkimit, vendimin e sekuestros, deklarimet e dëshmitarëve, etj. Meqenëse hetimet kanë përfunduar dhe provat që fajësojnë të pandehurin janë të plota, bazuar në nenet 331 të Kodit të Procedurës Penale kërkojmë gjykimin e çështjes penale nr 4003 në ngarkim të të pandehurve Rezart Taçi, Irgen Selfo dhe Bledar Lilo, akuzuar për veprën penale të “goditjes për shkak të detyrës në bashkëpunim" e parashikuar nga neni 237-25 i Kodit Penal.
Dëshmia e Rezart Taçit
“U përpoqa të shuaja sherrin në tavolinë”
Në dëshminë e tij dhënë para gjykatës, Rezart Taçi ka sqaruar se ka qenë në lokalin "Capriço" mbrëmjen e të hënës, në një tavolinë me disa miq të tij. Ai ka shpjeguar se në një moment ka parë që dy punonjësit e kompanisë "Taçi Oil", Irgen Selfo dhe Bledar Lilo, po konfliktoheshin me një person në një tavolinë tjetër. Në sqarimet e tij mbi ngjarjen, biznesmeni Rezart Taçi shpjegon se është ngritur nga tavolina, pasi ka parë se në konflikt ishin dy punonjës të kompanisë. Ai ka thënë se është afruar dha ka hyrë për të ndarë personat që po shtyheshin mes tyre. Sipas rrëfimit të Rezart Taçit para gjykatës, në një moment ai kishte arritur ti ndante dy punonjësit e tij nga konfrontimi fizik me gazetarin Mero Baze. "Por pasi arrita ti ndaj, situata doli përsëri jashtë kontrolli, pasi Irgeni u kthye dhe e goditi përsëri", ka thënë biznesmeni Rezart Taçi në deklarimet e tij, dhënë para Gjykatës së Tiranës. Ai ka thënë se i vetmi moment kur e ka prekur me dorë gazetarin Mero Baze, ka qenë momenti kur ka ndërhyrë për të ndarë përplasjen fizike mes dy palëve. Sipas hetimit, mësohet se rrëzimi i Mero Bazes përtokë ka ndodhur pasi biznesmeni kishte arritur të ndalonte konfliktin, por Irgen Selfo ishte afruar përsëri tek tavolina ku ndodhej Mero Baze dhe kishte qëlluar ndaj tij. Në seancën e masës së sigurisë në gjykatën e Tiranës, avokatët e Rezart Taçit janë shprehur ndërkohë se kanë një listë të gjatë personash dëshmitarë, të cilët konfirmojnë versionin e ngjarjes siç është dhënë nga biznesmeni.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›