Mbërrin trupi i Feti Voglit, babai: Borxhet e pambyllura të tim biri
Është kthyer në atdhe trupi i Feti Voglit, ushtarakut që humbi jetën në Afganistan. Trupi i tij ka mbërritur më një avion të posaçëm të NATO-s rreth orës 03:05 minuta. Nën tingujt e muzikës funebre, arkivoli i mbuluar me flamurin shqiptar u nxor nga avioni, ndërsa në pistën e aeroportit, ku ishte shtruar një tapet i kuq prisnin për ti bërë nderimet, përvec familjarëve edhe ministri i Mbrojtjes Arben Imami dhe drejtues ë lartë të ushtrisë shqiptare.
Ishin pothuajse ato njerëz të cilët gati një muaj më parë kishin përcjellë kapiten Voglin drejt misionit në Afganistan, ku dhe do të humbiste jetën teksa po kryente një mision me një njësi të përbashkët shqiptaro-amerikane në zonën e Kandaharit.
Pasi zbriti nga avioni, arkivoli i mbuluar me flamurin shqiptar, i mbajtur mbi supet e ushtarakëve është vendosur në makinën e funeralit. Më pas i shoqëruar nga një autokolonë ushtarake është transportuar drejt banesës së tij, në fshatin Baldushk të Tiranës.
Ndërkohë babai i Fetiut, Bedriu, thotë se gruaja e tij dhe gruaja e djalit prej tre ditësh janë të sëmura. Pranë shtëpisë së tyre qëndron një autoambulancë në gatishmëri. Bedriu thotë për Panorama se i biri nuk bëri dot dasëm për shkak se nuk kishte mundësi. Me shumë mund e kursim morën një shtëpi rrugës që shkon për në Dajt, aty ku quhet Fresku. Me sa më ka thënë Fetiu, e kishin shlyer shumicën, por një pjesë ka mbetur ende për tu paguar, thotë Bedriu.
Vajza e vogël trevjeçare e Fetiut kërkon vazhdimisht babain, thotë Bedriu i mallëngjyer.