Mbështeste pushtimin e Ukrainës/ Shkrimtari nacionalist rus mbetet i plagosur në sulmin me bombë

Shkrimtar i njohur nacionalist rus, Zakhar Prilepin ka mbetur i plagosur në një sulm me bombë ndaj makinës së tij ku mbeti i vdekur shoferi.
Për këtë sulm, Moska ka fajësuar Ukrainën dhe Perëndimin.
Ngjarja ndodhi në një fshat në rajonin e Nizny Novgorod, rreth 400 km në lindje të Moskës kur Audi Q7 i shkrimtarit Zakhar Prilepin u hodh në erë.
Autoritetet ruse bënë të ditur se hetuesit po merrnin në pyetje një të dyshuar të identifikuar si Alexander Permyakov.
“I dyshuari u arrestua dhe gjatë marrjes në pyetje, ai dëshmoi se ka vepruar sipas udhëzimeve të shërbimeve speciale ukrainase”, thuhet në deklaratën e autoriteteve ruse.
Guvernatori i rajonit të Nizhny Novgorod, Gleb Nikitin, tha në Telegram se mjekët e kishin operuar me sukses Prilepin dhe se ai tani ai po trajtohet në spital.
Ministria e Jashtme e Rusisë theksoi nga ana tjetër se “përgjegjësia për këtë dhe akte të tjera terroriste nuk bie vetëm tek autoritetet ukrainase, por edhe tek klientët e tyre perëndimorë, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara”.
Agjencia shtetërore e lajmeve Tass citoi burime sigurie që thanë se i dyshuari ishte ukrainas dhe ishte dënuar më parë për grabitje me dhunë.
Shërbimi i Sigurisë SBU i Ukrainës as e ka konfirmuar dhe as e ka mohuar përfshirjen në këtë ngjarje, shkruan The Guardian.
Shkrimtari rus njihet për mbështetjen e luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe është mburrur se ka marrë pjesë në luftime ushtarake atje.
/rtsh.al/