Rusia evakuon një qytet të tërë pranë termocentralit bërthamor, ekspertët: E rrezikshme

Rusia ka përhapur panik teksa po evakuon një qytet pranë termocentralit bërthamor të Zaporizhzhias.
Rusia u ka thënë njerëzve që të largohen nga 18 vendbanime në rajonin e Zaporizhzhias, përfshirë Enerhodarin pranë uzinës, përpara ofensivës së parashikuar të Kievit.
Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së paralajmëroi se mund të ndodhë një “aksident i rëndë bërthamor”.
Rafael Grossi – drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) u shpreh se situata në uzinën e Zaporizhzhia po “bëhej gjithnjë e më e paparashikueshme dhe potencialisht e rrezikshme”.
Deklarata e IAEA tha se “ndërsa stafi operativ mbetet në vend” kishte “shqetësim të thellë për kushtet gjithnjë e më të tensionuara, stresuese dhe sfiduese për personelin dhe familjet e tyre”.
Ai tha se ekspertët e IAEA në uzinë “kishin marrë informacion se evakuimi i paralajmëruar i banorëve nga qyteti i afërt i Enerhodar – ku jeton shumica e stafit të uzinës – ka filluar”.
Të premten, kreu rajonal i instaluar nga Rusia, Yevgeny Balitsky tha se “në ditët e fundit, armiku ka shtuar granatimet e vendbanimeve afër vijës së frontit”.
“Prandaj kam marrë një vendim për të evakuuar fillimisht fëmijët dhe prindërit, të moshuarit, invalidët dhe pacientët e spitalit”, ka shkruar ai në rrjetet sociale, transmeton BBC.
IAEA ka lëshuar më parë paralajmërime për sigurinë në termocentral – të cilin Rusia e kapi në ditët e hapjes së pushtimit të saj vitin e kaluar – pasi granatimet shkaktuan ndërprerje të përkohshme të energjisë.
/rtsh.al/