E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbështeten në rezolutë

Federata e Futbollit e Kosovës e ka mirëpritur miratimin e rezolutës nga Parlamenti Evropian, që për qëllim e ka përshpejtimin e procesit të ndërkombëtarizimit të sportit. Sipas udhëheqësve të futbollit kosovar, kjo rezolutë do të jetë një mbështetëse e fortë e FFK-së në procesin e anëtarësimit të saj në UEFA e FIFA. Për ta përshpejtuar procesin, ata po mendojnë ta përgatisin edhe një ekip ekspertësh.

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), në mbledhjen e vet të mbajtur të premten, e ka përshëndet dhe mirëpritur miratimin e rezolutës për Kosovën nga Parlamenti Evropian, e cila për qëllim e ka përshpejtimin e procesit të ndërkombëtarizimit të sportit kosovar, e posaçërisht i bën thirrje Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që t’ia mundësojë Kosovës pjesëmarrjen në Olimpiadën ‘Londra 2012’.

Sipas udhëheqësve të futbollit kosovar, kjo rezolutë do të jetë një mbështetëse e fortë e FFK-së në procesin e anëtarësimit të saj në UEFA e FIFA. Ndërkohë, shtëpia e futbollit kosovar u ka bërë thirrje edhe mekanizmave tjerë ndërkombëtarë që të veprojnë, njëjtë sikurse Parlamenti Evropian, në mbështetje të ndërkombëtarizimit të sportit.

“Kjo rezolutë nuk është obliguese, por sigurisht që na hap rrugë. Procesi i anëtarësimit tonë në FIFA e UEFA është i politizuar, andaj ne do të mbështetemi në këtë rezolutë, në koordinim me Ministrinë e Sportit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe shumë mekanizma dhe njerëz tjerë. Kjo rezoluta na çon përpara”, ka deklaruar për Express kreu i FFK-së, Fadil Vokrri.

Në anën tjetër, sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, thotë se FIFA e posaçërisht UEFA, tani duhet ta ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës. “Kjo pasi rezolutën nuk e kemi miratuar ne, por shumica dërmuese e deputetëve evropianë”, tha ai.

Vokrri e Salihu pohuan se Komitetit Ekzekutiv i FFK-së tani po planifikon ta formojë një ekip me ekspertë vendorë e ndërkombëtar, i cili do të ketë mandat që ta anëtarësojë sa më shpejt Kosovën në FIFA e UEFA. Sipas tyre, merita në këtë ecje të procesit ka ministri i Sportit, Memli Krasniqi.

Vokrri: Së shpejti në UEFA

Fadil Vokrri ka përsëritur edhe njëherë se anëtarësimi i Federatës së Futbollit të Kosovës në asociacionet ndërkombëtare do të ndodhë në një të ardhme jo të largët.

“UEFA nuk na ka refuzuar, por jemi të bindur se shumë shpejt do të bëhemi anëtarë të saj. Sporti duhet të jetë mbi politikën, andaj jemi të sigurt se do ta fitojmë vendin tonë në UEFA. Kjo është vetëm çështje ditësh”, ka thënë kreu i FFK-së për portalin serb Kurir.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›