Për 100 vjet pavarësi, alpinistët ngjiten në Mount Everest

Ekipi i alpinistëve i shoqatës sportive “Dajti Alpino Turistik” është tashmë gati për të nisur “betejën” për të prekur “majën e botës”, pikën më të lartë të Himalajeve, Mont Everestin.
Ekipi përbëhet nga gjashtë alpinistë: Gerti Pishtari, Gjergj Bojaxhi, Fation Plaku, Erlin Rudho, Xhimi Begeja dhe Mateo Begeja.
Pak muaj më parë alpinistët deklaruan se do të tentojnë të ngjisin majën më të lartë në botë, Everestin, për të vendosur atje flamurin shqiptar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Tashmë, pas një periudhë të gjatë seancash intensive përgatitore, ekipi po bën përgatitjet e fundit përpara nisjes drejt Katmandus në Nepal.
Gjatë muajve të fundit ekipi ka kryer stërvitje intensive, duke realizuar ngjitje të vështira në disa lartësi të vendit, përfshirë Malin e Korabit, Malin e Dajtit, Malin e Gramozit, Malin me Gropa, Llogoranë, Gjirin e Gramës, Shën Andrean, Palasën, Malin e Korabit etj. për të pasur përgatitjen e duhur fizike për të përballuar vështirësitë e ngjitjes së Everestit, 8 848 metra të lartë.