Historia me Barcelonën

Të martën e ardhshme në Nou Camp do mësojmë nëse Barcelona ose Milani do të ndeshen me Chelsean ose Benfican në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pas barazimit 0-0 në duelin e parë në San Siro.
Ky rezultat i jep trajnerit të gjigantit katalan, Pep Guardiola, mjaft arsye për të qenë optimist rreth shanseve të skuadrës së tij, sepse historia favorizon ekipin nga Nou Camp.
Prej kur u emërua trajner i Barcelonës më 2008/09, Guardiola ka udhëhequr me sukses ekipin e tij në 25 prej 27 përballjeve të përbëra nga dy ndeshje. Herët e vetme kur është mposhtur erdhën në të njëjtin sezon, 2009/10, së pari në Copa del Rey kundër Sevillas, e më pas në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve nga Inter.
Barazimi në ndeshjen e parë
Barcelona e Guardiolës ka barazuar katër herë në ballafaqimet prej dy ndeshjeve në Ligën e Kampionëve. Dhe futbollistët e gjigantit katalan në secilin prej këtyre rasteve kanë tejkaluar me sukses pengesën e paraqitur duke siguruar kualifikimin e mëtutjeshëm.
Rasti i parë ishte më 2008/09, kur pas barazimit 1-1 në udhëtim te Olympique Lyon, Barcelona fitoi bindshëm 5-2 në Nou Camp.
Më vonë, gjatë të njëjtit edicion, erdhi një prej momenteve më të lavdishme të epokës së Guardiolës. Barcelona dhe Chelsea u ndeshën në Stamford Bridge në kërkim të sigurimit të kualifikimit për në finalen e Romës, pasi takimi i parë në Nou Camp kishte përfunduar pa gola.
Andre Iniesta shënoi në minutën e fundit të lojës, siguroi barazimin 1-1 dhe kualifikimin për në finale në bazë të rregullës së golit si mysafir. Sezonin e ardhshëm, Barcelona po ashtu barazoi dy herë në ndeshjet e para, por më pas u kualifikua.
Në rrethin e parë të fazës eliminatore, Barcelona u ndesh me Stuttgartin dhe barazoi 1-1 në udhëtim para se të siguronte kualifikimin në çerekfinale me fitore 4-0 në Nou Camp. Në rrethin tjetër, gjiganti katalan u ndesh me Arsenalin dhe barazoi 2-2 në Emirates para se Lionel Messi të realizonte katër gola në fitoren 4-1 në Nou Camp, që siguroi pjesëmarrjen në gjysmëfinale.