E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbështetje e vazhdueshme për familjet e policëve të vrarë

Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për herë të parë këtë vit, u kanë ofruar mundësinë të gjitha familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës të kryejnë pushimet verore falas në shtëpinë e pushimit të Ministrisë.

“Kjo është pjesë e një pakete masash të marra edhe në zbatim të ligjit të ri të miratuar nga parlamenti shqiptar, ligj i cili parashikon shpërblimin financiar të çdo familje të të rëni me rrogën e plotë të personelit të policisë, të punonjësit të policisë të rënë në krye të detyrës dhe rritjet që do të përfitonte në rast të vazhdimit të karrierës, parashikon bursa studimi për të gjithë fëmijët e policëve të rënë, parashikon trajtimin me përparësi për strehimin e tyre dhe në plotësim të këtyre masave që parashikon ligji, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të bëjnë të gjitha përpjekjet për punësimin e çdo bashkëshorteje të papunësuar akoma dhe në gjendje pune, pra jo në moshë pensioni si dhe për pushimin e plotë të këtyre familjeve me shpenzimet e Ministrisë së Brendshme gjatë sezonit”, deklaroi ministri Basha, duke siguruar se kjo mundësi do të ofrohet edhe për vitet në vazhdim.

Ministri Basha u bëri të ditur familjarëve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës se brenda një jave Këshilli i Ministrave do të miratojë udhëzimin përkatës për zbatimin e ligjit, dhe duke filluar nga shtatori të gjitha përfitimet që parashikon ligji do të zbatohen në mënyrë uniforme për të gjitha familjet.

Në shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Brendshme kanë pushuar deri më tani 140 familje të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës dhe secila prej familjeve pati mundësi që të përzgjidhte periudhën 10 ditore të pushimit nga 1 korriku-10 shtator.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›