Mbeten në shtëpi
Afati kalimtar i verës për futbollistë veçse ka filluar, por kjo nuk ka fort rëndësi për lojtarët kosovarë, të cilët vështirë se do të mund t’i kalojnë kufijtë e Kosovës për t’u transferuar nëpër klube të huaja.
Kështu thonë vetë menaxherët e futbollistëve, sipas të cilëve, lojtarët nga Kosova vështirë se do t’ia dalin të paktën të provohen nëpër klube të huaja, e lëre më që të transferohen direkt nga skuadrat e tyre kosovare.
Deri më tani, vetëm Festim Krasniqi e Samir Sahiti kanë arritur marrëveshje me Renovën e Maqedonisë, por deri në fund të këtij afati kalimtar, sipas menaxherëve, vështirë se do të kenë kësi fati edhe futbollistë të tjerë të Kosovës.
Kjo për shumë arsye. Menaxheri Ismet Munishi i përmend disa prej tyre. “Klubet tona nuk marrin pjesë në gara ndërkombëtare, derisa kampionati vendor nuk është i fortë. Prandaj, lojtarëve tanë u mungon kualiteti e përvoja. Pra, nuk mjafton vetëm talenti”, thotë ai.
Sipas tij, futbolli kosovar është i panjohur për vendet e tjera evropiane, ndërsa futbollistët duhet të kenë përvojë, në mënyrë që menaxherët ta kenë më të lehtë t’i bindin klubet e huaja të paktën për t’i provuar.
“Njëherësh, futbollistët kosovarë konsiderohen të huaj nëpër Evropë, sepse vendi ynë nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, sikurse vendet afrikane. Andaj, lojtarët tanë kur provohen në klube evropiane, kanë konkurrencë të fortë të futbollistëve afrikanë, posaçërisht atyre brazilianë dhe e kanë vështirë t’i bindin klubet t’u ofrojnë kontrata para atyre nga vendet afrikane”, shtoi Munishi.
Ai kujtoi se tregu kosovar është i varfër. Sipas Munishit, në gjithë Kosovën nuk janë më shumë se gjashtë futbollistë që kanë kualitete për t’u transferuar jashtë vendit, edhe atë jo në klube aq të njohura.
Ndërkohë, edhe kur menaxherët ia dalin që futbollistëve kosovarë t’u sigurojnë prova në ndonjë klub të huaj, ata hasin në probleme të shumta për t’u pajisur me viza.
“Edhe viteve të kaluara, kemi pasur probleme të tilla, por asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq vështirë për t’i pajisur futbollistët me viza. Andaj, ata nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit. Janë në Kosovë katër apo pesë futbollistë, të cilëve do të mund t’u gjeja skuadra të huaja, por po na pengojnë shumë vizat”, deklaroi për Express, menaxheri i njohur, Remo Rashica.
“Për shembull, Behar Maliqi, Enis Zabërxha e Agron Skeraj kanë kualitete për të luajtur në Bundesliga 2, apo në Çeki, ose në Sllovaki, pa pasur nevojë për t’u testuar fillimisht. Kam kontakte me klube dhe nuk do të ishte aq problem. Por, është shumë problem i madh, saqë nuk mund ta paramendoni, për t’i pajisur me viza”, theksoi Rashica, i cili mbetet me shpresë që sa më shpejt edhe Kosova sikurse vendet e tjera të rajonit, të përfitojë nga liberalizimi i vizave.
Andaj, sipas menaxherëve, sikurse në të kaluarën, ashtu edhe sivjet, vështirë do ta kenë futbollistët kosovar të angazhohen nëpër skuadra të huaja. Ndërkohë, as nuk do të vijë në konsideratë që klubet kosovare të përfitojnë para nga shitja e futbollistëve të tyre.
Në të kaluarën, shumica e lojtarëve kosovarë pa u testuar fillimisht nuk mundnin të sigurojnë kontrata, as në ekipet e rajonit, si për shembull Shqipëri e Maqedoni. Pra, më mirë nuk pritet të kalojnë as sivjet.