E Shtunë, 31 Tetor 2026

Synon Allsvenskan

Elitës së futbollit suedez pritet t’i shtohet edhe një futbollist shqiptar, pasi lideri i Allsvenskan, Helsingborg ka zgjuar interesim për Loret Sadikun. Mesfushori 19 vjeç nuk është në dijeni për këtë, por thotë se me kënaqësi do t’i bashkohej fituesit të Kupës së Suedisë. Nga Express më 04 korrik 2011 në ora 12:14

Lideri i elitës së futbollit suedez (Allsvenskan), Helsingborg, po vëzhgon nga afër talentin shqiptar, Loret Sadiku. Por ky i fundit nuk është në dijeni për një interesim të mundshëm nga ky klub.

Mirëpo, futbollisti shqiptar e pranon se do të kishte dëshirë të luajë në elitën e futbollit suedez dhe se do ta pranonte me kënaqësi ndonjë ofertë eventuale që do t’i arrinte nga fituesi i Kupës së Suedisë, Helsingborg, ku luan edhe futbollisti tjetër kosovar, Adrian Gashi.

19-vjeçari aktualisht luan në Superettan (liga e dytë suedeze) me ekipin Varnamo. “Në realitet nuk di asgjë. E di se kemi marrëdhënie të mira me Helsingborgun. Nuk do më befasonte nëse ky klub më vëzhgon. Mirëpo, nuk kam njohuri”, theksoi fillimisht mesfushori shqiptar për mediat suedeze.

Sadiku ka zhvilluar nëntë ndeshje nga minuta e parë këtë sezon dhe ka realizuar dy gola. Ai shihet si e ardhme e futbollit suedez. Pa dyshim, objektiv kryesor i tij është liga e parë suedeze, Allsvenskan. Mirëpo, ai synon edhe më lart.

“Do të më pëlqente të luaj në ligën e parë, sezonin e ardhshëm. Mirëpo, duhet t’i marrim gjërat hap pas hapi. Nëse luaj mirë, unë e di se dikur do të përfundoj atje. Natyrisht, do të dëshiroja që të luaj jashtë Suedisë, kjo është një ëndërr e imja”, vazhdoi Sadiku.

Në anën tjetër, drejtori sportiv i Helsingborgut, Jesper Jansson, në njëfarë mënyre e pranon se klubi i tij është i interesuar për Sadikun.

“Nuk dëshiroj të komentoj, por them se e njoh Sadikun. Ne i kontrollojmë dhe i vëzhgojmë lojtarët e Varnamos, me të cilën kemi bashkëpunim dhe marrëdhënie të mira”, deklaroi Jansson.

Zbarkimi i Loret Sadikut në elitën e futbollit suedez do ta pasuronte atë edhe me një lojtar shqiptar. Aktualisht, në Allsvenskan luajnë rreth 15 futbollistë shqiptarë. Kampionati suedez është bërë ‘çerdhe’ e re e futbollistëve shqiptarë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›