E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbetet në Chelsea edhe nëse s’fiton

Carlo Ancelotti nuk ka dyshim rreth qëndrimit të tij në Stamford Bridge. Ajo që po e përjeton këto ditë sigurisht se është momenti më i vështirë prej arritjes së tij në Londër: së pari eliminimi i hershëm nga Liga e Kampionëve, e më pas humbja e kreut të tabelës në Premierligë, të cilin tash e mban Manchester United.

“E ardhmja ime sigurisht është tek Chelsea edhe vitin e ardhshëm, pa marrë parasysh nga rezultatet”, ka thënë ish trajneri i Milanit për të përditshmen italiane La Stampa. Ai i ka analizuar edhe problemet që ndikuan në rënien nga forma të ekipit të tij, që konsiderohej si njëri prej favoritëve për të fituar në Evropë dhe në Angli.

“Po kalojmë një moment delikat, ndërmjet lëndimeve dhe zhgënjimit për Ligën e Kampionëve. Lëndimet ndikojnë në paraqitje, por kishim edhe disa mungesa në janar, kur luhej Kupa e Afrikës. Megjithatë, ne do të vazhdojmë të luftojmë deri në fund”, ka shtuar trajneri italian. Gjatë verës, zyrtarët e Chelseas kanë shpenzuar më pak, në krahasim me vitet e kaluara, për ta përforcuar ekipin. “Nuk do të thotë të shpenzosh shumë dhe të fitosh më shumë. Ne kemi një ekip të mirë i cili do të rregullohet dhe përforcohet vitin e ardhshëm”, shtoi Ancelotti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›