E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbetet pezull lista e barnave të rimbursimit për 2011

13/04/2011  Pensionistët kundër heqjes dhe zëvendësimit të barnave cilësore për sëmundjet kronike

Lista e barnave të rimbursimit mbetet ende pezull. Pavarësisht premtimeve të bëra në mbyllje të vitit të shkuar nga zyrtarët e dikastereve shëndetësore, ku është pohuar se lista do ishte gati në nisje të 2011-s, një gjë e tillë nuk po ndodh. Kjo do të thotë se ende nuk dihet se kur lista e re do të hyjë në fuqi. Kjo zvarritje e shpalljes së ndryshimeve që do të ketë lista e barnave është parë si shqetësuese nga pensionistët, pasi mund të rrezikojë përfshirjen e barnave cilësore për sëmundjet e rënda dhe ato kronike, duke i zëvendësuar me barna më pak cilësore e që janë më të lira. Kreu i shoqatës së pensionistëve, Isa Gorica, ka pohuar gjatë ditës së djeshme se plot 180 mijë pensionistë gjenden në pritje të ndryshimeve që do ketë lista. “Vonesat në shpalljen e listës janë të patolerueshme. Kjo situatë është shqetësuese, pasi është folur për një ndryshueshmëri të përbërjes së listës, ku barnat e shtrenjta cilësore do të zëvendësohen me alternativa të tjera më të lira. Kjo për të shmangur shpenzimet e larta, por nga ana tjetër vë në rrezik shëndetin e përfituesve. Në rast se kjo do të ndodhë, ne do të dalim kundër çdo vendimi për futjen e gërshërës në shkurtimin e barnave të listës. Kjo veçanërisht për barnat që trajtojnë sëmundjet kronike, kardiovaskulare, diabetit, mushkërive etj. Ajo çfarë shihet edhe si më problematike nga ne, është fakti që lista mund të vonojë edhe më shumë e të shpallet për shkak të fushatës së zgjedhjeve. Kjo në mënyrë të tillë që të mos bëhen publike ende shkurtimet që do t’i bëhen kësaj liste. Të gjitha këto janë veprime që po kryhen në kurriz të pensionistëve”, shprehet Gorica. Një vit më parë, lista e barnave të rimbursimit, që po përdoret edhe aktualisht, është miratuar që në muajin shkurt nga Këshilli i Ministrave. Tashmë ndodhemi në mes të muajit prill dhe lista e 2011-s ende nuk ka kaluar në qeveri për miratim. Konkretisht bëhet e ditur se financat e kanë kthyer mbrapsht për rishikim, pasi lista e propozuar me mbi 400 medikamente paraqiste një faturë të lartë financiare. Sipas rregullores, lidhur me përfitimet e barnave të rimbursimit pohohet se edhe për listën e këtij viti masa e rimbursimit të barnave do të vijojë të jetë e përshkallëzuar nga 50 deri në 100 për qind të medikamentit, kjo në varësi të kategorisë së përfituesve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›