E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tritol vilës së vëllait tëish-drejtorit të Ujësjellësit

13/04/2011  Familja Plepi jeton në Itali. Dëmtime të mëdha në fasadë dhe banesa të tjera

FIER- Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në mëngjesin e djeshëm në lagjen “Afrim i ri” në qytetin e Fierit. Sipas informacioneve të fundit, shpërthimi ka ndodhur në vilën e shtetasit Altin P., dhe për fat të mirë nuk ka shkaktuar të lënduar përveç dëmeve materiale. Sipas banorëve, por edhe të afërm të familjes, shpërthimi ka ndodhur rreth orës 5 të mëngjesit të djeshëm.

Shpërthimi

Një sasi e konsiderueshme eksplozivi është vendosur në hyrje të vilës 3-katëshe dhe si pasojë e shpërthimit janë thyer fasadat me konstruksion prej xhami të 3 kateve të vilës. Si pasojë e shpërthimit banesa ka pësuar dëmtime të mëdha, ndërsa prej intensitetit të shpërthimit janë dëmtuar edhe banesa të tjera përreth saj. Lënda shpërthyese është vendosur në katin e parë të ndërtesës 3-katëshe pronë e shtetasit Altin P. Në momentin e shpërthimit në banesë nuk ka pasur njerëz, pasi mësohet se ndërtesa ka qenë në ndërtim e sipër dhe pronari i saj së bashku me familjen e vet është larguar për në shtetin fqinj Itali. Dyshohet se lënda shpërthyese ka qenë tritol. Nga shpërthimi mësohet se janë dëmtuar rëndë të gjitha orenditë shtëpiake dhe aksesorë të tjerë të saj dyer e dritare, ndërsa kanë pësuar çarje të konsiderueshme edhe muret mbajtëse të ndërtesës.

“Janë thyer xhamat, dyert është shkatërruar gjithçka. Një shpërthim të madh dëgjuam në orën 5 të mëngjesit. Na dridhen gjunjët akoma nga frika”,-thotë një fqinjë e familjes Plepi. Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie dhe ekspertë të Policisë Gjyqësore dhe prokurorë të organit të akuzës në Fier.

Pistat

Policia ka filluar veprimet e saj paraprake dhe po punon në disa pista përfshi këtu edhe faktin se pronari i banesës është vëllai i ish drejtorit të Ndërmarrjes së Ujësjellësit sh.a në Fier. Ky i fundit u shkarkua para ca muajsh, ndërsa kundër tij Auditi i prefekturës në Fier ka nisur në Prokurorinë e këtij rrethi një akuzë për shpërdorim të detyrës. Sidoqoftë policia ende nuk ka nxjerrë as shkaqet dhe autorët e ngjarjes, por burime jozyrtare përflasin edhe për veprimtari të dyshimtë të Altin Plepit në vendin fqinj në Itali. Ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarje dhe vendosjes së eksplozivit në këtë familje. Të afërm të familjes Plepi janë shprehur se nuk kanë pasur ndonjë konflikt. Burime policore lokale njoftojnë se në momentin e shpërthimit vila ka qenë bosh, edhe për faktin se familja e Plepit jeton prej disa vitesh në Itali. Burimet shtojnë më tej se shpërthimi ka ndodhur në lagjen “Afrim i ri”, mbi ngjarjen po hetojnë agjentët e antikrimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›