E Diel, 1 Nëntor 2026

Piro Misha, Lexuesi skërkon diktaturën, por letërsinë e mirë

Debat i hapur Studiuesi, publicisti dhe përkthyesi Piro Misha i bashkohet zërave për debatin e ngritur nga gazeta “Shqip” në lidhje me temat mbi Shqipërinë komuniste, të cilat zënë më së shumti vend dhe preferohen më tepër të përkthehen në gjuhë të huaja prej botuesve apo edhe lexuesit të huaj

Piro Misha, studiues, përkthyes e publicist flet për debatin mbi letërsinë shqipe, që i referohet temës së komunizmit dhe preferencës së botuesve të huaj për të përkthyer nga letërsia shqipe vetëm ato romane që flasin për këtë periudhë të errët të historisë së vendit tonë. Sipas tij, edhe pse gjatë këtij 20- vjeçari ka pasur një lloj abuzimi me këtë temë, sërish ajo mbetet për t’u lëvruar e nëse është e shkruar mirë, atëherë mbetet e preferuar për lexuesin. “Botuesi dhe lexuesi i huaj interesohet në radhë të parë për letërsinë e mirë... Tematika ka një vlerë relative. Problemi është që shkrimtari të ketë aftësinë të japë një vepër të mirë, të japë një letërsi të mirë dhe të përçojë atë që është origjinale”, thotë ai.

Z. Misha, në letërsinë shqiptare, një vend kryesor zënë temat që kanë të bëjnë me periudhën e diktaturës në vend. Ndërkaq mendohet edhe se kjo lloj letërsie është edhe ndër të preferuarat prej botuesve të huaj, por edhe më të kërkuarat nga lexuesit e huaj. Mendoni se kemi të bëjmë me një fenomen në zhdukje apo në rritje?

Nëse flasim në kuadrin e të gjithë Europës postkomuniste, pa dyshim që gjatë këtij 20-vjeçari ka pasur abuzim me këtë term që shpjegohet me interes publik. Ky nuk është një konstatim i imi, është një konstatim i përgjithshëm i një kritike europiane apo botërore. Realisht pati një ngopje me këtë temë, por kjo nuk e përjashton faktin që nëse dikush, një shkrimtar, arrin që ta trajtojë këtë temë në mënyrën e duhur me origjinalitet, atëherë të jetë i vlerësuar. Ne kemi shembullin e romanit të fundit të Fatos Kongolit, që merret me temën e diktaturës, merret në njëfarë mënyre me temën e kapërcyellit nga diktatura në kohën tonë. Ky roman ka pasur sukses, qoftë në Francë, qoftë në Spanjë etj. Por në konstatimet e përgjithshme duket se ka një ngopje me këtë temë. Kjo vjen për shkak të një abuzimi të disa shkrimtarëve që u përpoqën të përfitonin nga ky moment.

Fakti që kanë të bëjnë me një fenomen të panjohur e bën më tërheqëse si për lexuesin ashtu edhe për botuesin e huaj këtë lloj letërsie?

Botuesi i huaj, dhe kur themi botuesi i huaj nënkuptojmë lexuesin e huaj, interesohet në radhë të parë për letërsinë e mirë. Letërsia është një çështje individuale, nuk është çështje e një letërsie. Pa dyshim në një moment të caktuar, një letërsi e caktuar ka sukses, ka një traditë dhe tani ne kemi Kadarenë. Ai nuk përkthehet thjesht si shqiptar. Përkthehet si një shkrimtar i mirë që i jep diçka lexuesve që nga Europa deri në Brazil e në Japoni. Po kështu, edhe shkrimtari Fatos Kongoli i cili është i suksesshëm jashtë. Nuk është thjesht tematika e tij, edhe pse padyshim tematika ka rëndësinë e vet, që të ketë një element universal, të japë një mesazh, që kalon kufijtë, të mos jetë thjesht lokale, e vogël, e mbyllur në rrethin e një vendi të caktuar, por tematika ka një vlerë relative. Problemi është që shkrimtari të ketë aftësinë të japë një vepër të mirë, të japë një letërsi të mirë dhe të përçojë atë që është origjinale.

A duhet ta shohim si problematike idenë e përzgjedhjes së këtyre temave dhe dëshirën për t’u përkthyer. Ka vend për problematikë?

Unë nuk e shikoj aspak problematike këtë. Veç këtyre shkrimtarëve që përmenda, është edhe Ornela Vorpsi, e cila botohet sot me shumë sukses në Francë e në Itali. Pavarësisht se nuk shkruan në gjuhën shqipe, flet për Shqipërinë, e njëjta gjë ndodh edhe me shkrimtaren Anilda Ibrahimi e kështu me radhë. Flasin për përvojën që ka kaluar ky vend e përvoja e këtij vendi është përvoja jonë kolektive, qoftë edhe individuale, nuk është nga më të lumturat. Për fat të keq, ne e dimë që kemi kaluar një periudhë të keqe, periudhën e komunizmit. Letërsia nuk është një mjet propagande, ajo është një mjet përçimi të një mesazhi njerëzor. Nëse vepra e Kongolit ka një atmosferë të zymtë, e cila zbutet nga ironia që e përshkon atë, kjo nuk e nxin Shqipërinë, përkundrazi. Në qoftë se një vend si Shqipëria arrin të përçojë një letërsi të mirë, i bën vetëm mirë imazhit të vet. Kështu që ky merak se mos kjo tematikë nxin imazhin tonë, mua më duket disi fëminor, i papranueshëm. Letërsia e mirë është letërsi e mirë dhe temat shpeshherë janë dramatike. Mua më vjen keq që ne kemi shumë pak letërsi të mirë me tematikën e tranzicionit tonë. Kjo periudhë është aq e pasur me tematikë të dhimbshme, por njëkohësisht mjaft interesante nga përvoja njerëzore, por ndoshta duke qenë të zhytur shumë pranë afër nesh, shkrimtarët shqiptarë nuk kanë arritur ende t’i japin siç duhet përvojën e këtij 20-vjeçari që është mjaft interesant.

Duke u nisur nga kjo e fundit, mos ndoshta duhet të kalojë pak më shumë kohë që shkrimtarët të pjekin idenë deri diku?

Mendoj se nuk ka një formulë për këtë. Varet gjithmonë nga talenti, por edhe nga atmosfera e përgjithshme. Për fat të keq në Shqipëri nuk ka ende një atmosferë që të krijojë kushtet e duhura për një letërsi, sidomos për të rinjtë. Lexohet pak, mungon kritika, mungon vëmendja e përgjithshme e shoqërisë ndaj letërsisë. Unë them që jemi me fat që në këtë periudhë kaq të vështirë, kaq komplekse, kaq të tensionuar ne kemi prodhuar letërsi dhe letërsi jo të keqe. Duke iu referuar letërsisë botërore, them se nuk ka formula për këtë. Tolstoit iu desh të kalonte disa dhjetëvjeçarë që të shkruante për një përvojë të caktuar historike, ashtu sikundër ka shkrimtarë të tjerë që kanë arritur të shkruajnë në një distancë të shkurtër kohore për përvoja kolektive dramatike. Ky është problem i një talenti, i një individi, por edhe i një klime të caktuar për letërsinë apo për kulturën e një vendi.

Kohët e fundit flitet shpesh për letërsinë shqiptare dhe për mënyrën se sa ajo arrin të depërtojë te një lexues i huaj. Ndoshta kjo lidhet më shumë me mënyrën apo kontaktet se sa me temat apo me cilësinë? Ku mendoni se qëndron ngërçi?

Unë nuk mendoj se ka një ngërç. Sigurisht pati një moment pauze sidomos gjatë viteve ‘90. Por letërsia shqiptare në krahasim me letërsinë e popujve të vegjël të Europës postkomunistë, Europës që ka qenë e izoluar për një kohë të gjatë, është një letërsi fatlume. Nëse marrim shembull Francën për të cilën flet Mira Meksi, aty ne jemi nga letërsitë më të përfaqësuara. Nuk dua të flas vetëm me nivele periferike apo me libra të botuara me paratë e vet shkrimtarit, pavarësisht se edhe kjo është një lloj letërsie. Por ne kemi një Kadare që nuk e ka asnjë vend ballkanik sot, kemi Kongolin, Bashkim Shehun që sot janë prezentë në përkthime të huaja, apo një fenomen që nuk është vënë në dukje aq sa duhet, siç janë shkrimtarë shqiptarë që shkruajnë në gjuhë të huaja e që flasin për Shqipërinë, siç është Anilda Ibrahimi apo Ornela Vorpsi. Janë shkrimtarë që dalin në faqet kryesore të gazetave të vendeve ku jetojnë. Letërsia shqipe, për fat të mirë, nuk është aq e harruar sa mendojmë ne, edhe pse pa dyshim që ka ankesa, ka vend për të bërë më mirë, ka shkrimtarë që ndoshta mund të meritonin më shumë e që nuk njihen. Por nuk mendoj që letërsia shqipe nuk njihet sa duhet.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›