PE: Vendimi për vizat, në fund të vitit. Statusi kandidat? Zgjidhni krizën

Shqipërisë i është hapur rruga për të përfituar liberalizimin e vizave në fund të këtij viti, por kriza politike në vend duhet të zgjidhet për të mos penguar integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Ky ishte thelbi i rezolutës për Shqipërinë, hartuar nga eurodeputeti Nicolaos Chountis, e cila u miratua dje nga Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian me 59 vota pro, nga 60 eurodeputetë të pranishëm në mbledhjen e djeshme. Vetë hartuesi i rezolutës, eurodeputeti grek, Chountis, e konsideroi miratimin e kësaj rezolute si një lajm të mirë për qeverinë dhe popullin në vend, por nga ana tjetër theksoi se Shqipëria duhet të përpiqet më shumë për procesin e integrimit, duke zgjidhur edhe krizën politike. Dokumenti i miratuar dje në Strasburg i bën të ditur klasës politike shqiptare se nuk do të ecet më tej në dhënien e statusit të vendit kandidat nëse mazhoranca dhe opozita nuk bien dakord për zgjidhjen e krizës. “Kriteri politik është shumë i rëndësishëm për integrimin”, theksohet në tekst, i cili përkthehet se nuk mund të ecet përpara nëse nuk do të ketë një parlament me funksionim të plotë, i cili nuk arrin të miratojë ligjet që kërkojnë 84 vota. Në rezolutë theksohet dhe duhet të miratohet një ligj i ri zgjedhor, i cili duhet të garantojë transparencën e zgjedhjeve. Entuziazëm për miratimin e rezolutës paraditen e djeshme u shfaq edhe nga ana e përfaqësuesve të mazhorancës në Bruksel, të cilët për ditë me radhë lobuan për miratimin e saj, pasi rrezikohej edhe shtyrja e mëtejshme. Por duket se pala e mazhorancës ngeli e kënaqur edhe nga teksti i cili u përfshi për Shqipërinë në këtë rezolutë. Kryetari i Komisionit të Jashtëm parlamentar, Fatos Beja, theksoi se rezoluta e miratuar dje është përmirësuar dukshëm nga ajo që pritej të miratohej një muaj më parë, duke iu përshtatur më mirë realitetit shqiptar. Kjo edhe për faktin se në këtë rezolutë nuk u përfshinë amendamentet paraprake të hartuara nga eurodeputetët e majtë dhe të djathtë gjatë ditëve të shkuara. Në tekstin final të saj u përfshijnë vetëm ato që konsideroheshin si amendamente kompromisi, të cilat nuk lejuan që mosgjetja e gjuhës së përbashkët për zgjidhjen politike në vend të penalizonte lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. Kjo u shpreh qartë edhe nga ana e eurodeputetit hartues të rezolutës, Chountis. "Kishte disa amendamente që për çështjen e vizave t'ia mbyllnim derën Shqipërisë, në mënyrë që të kishim përmirësim të situatës politike atje. Por në rezolutë vendosëm që të thuhet ndryshe, që duhet t'ua japim vizat shqiptarëve, sa më shpejt aq më mirë", u shpreh Chountis në lidhje me amendamentet e dorëzuara me këtë thelb nga ana e socialdemokratëve të PE-së. Në rezolutën e miratuar dje theksohet se për vijuar rrugën e integrimit në vend është i nevojshëm një sistem gjyqësor transparent, i paanshëm, dhe i pavarur nga çfarëdolloj kontrolli apo presionet politike. Po kështu, një nga amendamentet e kompromisit i kërkon prokurorisë dhe policisë më shumë përkushtim për çështjet e dhunës në familje, trafikut të grave dhe fëmijëve. Në këtë rezolutë theksohen problemet që Shqipëria ka për pronat dhe mungesën e transparencës në këtë fushë. Një tjetër pjesë e rezolutës është dhe ajo ku kërkohet përmirësim në shumë fusha të zhvillimit të vendit, siç është transporti, edukimi, çështjet sociale, shëndeti dhe bujqësia. Nga ana tjetër, Shqipërisë i kërkohen përmirësime edhe në fushën energjetike dhe të shfrytëzojë sa më shumë kapacitetin e burimeve natyrore në vend, për përmirësimin e ofertës së energjisë kundrejt qytetarëve.
#