Mbi 1 mijë bursa për nxënësit e profesionaleve
Zanatçinjtë
Përzgjedhja në bazë të gjendjes ekonomike, mesatares dhe zonës së banimit
Shpresa Mezini
Pjesa më e madhe e nxënësve preferojnë arsimin e mesëm të përgjithshëm, me dëshirën që në vijimësi të ndjekin studimet e larta për degën e tyre të preferuar. Por, ka edhe nga ata që shfaqin prirje të veçanta në fusha të ndryshme, për rrjedhojë zgjedhin arsimin e mesëm profesional. Kështu, ndërsa për nxënësit që diplomohen në shkollën e mesme të përgjithshme, profilizimi bëhet në fakultet, zanatçinjtë e nisin atë më herët, që në vitet e shkollës së mesme, duke qenë institucione profesionale.
Për këtë kategori nxënësish në vitin e ri shkollor, qeveria akordon mbi 1 mijë bursa të posaçme, në përputhje me kriteret e kërkuara. Të drejtën për të përfituar nga këto oferta nuk e kanë të gjithë adoleshentët, por vetëm ata që plotësojnë kriteret e përcaktuara nga qeveria.
Pjesë e listës së përfituesve janë ata nxënës që plotësojnë kriterin ekonomik, ata që vijnë nga zonat verilindore dhe juglindore të vendit, ata që regjistrohen në degët prioritare për zhvillimin ekonomik të vendit, si ndërtim, bujqësi, teknologji e informacion, pyjore e veterinari dhe nxënësit që në vitin e dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë kanë mesatare 8.5 e lart, sqaroi për gazetën Shqip, Dorina Rapti, drejtoresha e Arsimit Profesional në MASH. Sipas saj, kjo praktikë ndiqet si një mjet stimulimi për të përthithur sa më shumë nxënës në këto institucione parauniversitare.
Bursat
Drejtoresha e Arsimit Profesional thekson se bursat janë të plota, çka do të thotë se në të përfshihen të gjitha shpenzimet e nevojshme për një vit shkollor, duke nisur që nga tekstet shkollore, për të vazhduar me qëndrimin në konvikte, ushqimin në mensa dhe pagesën e transportit.
Bursa varion nga 7 mijë lekë deri në 10 mijë lekë të reja, duke respektuar kriteret dhe largësinë nga shkolla, kushtet thelbësore për ta përfituar atë. Sivjet, për herë të parë, në fokus të politikave të arsimit profesional do të jenë edhe nxënësit që do të zhvillojnë praktikën profesionale pranë shkollave të specializuara profesionale termohidraulike, që do të zgjasë 1-2 muaj. Pra edhe ata që do ti nënshtrohen kësaj përvoje do të përfitojnë bursë të plotë, tha Rapti. Sipas të dhënave, rezulton se gjatë vitit të fundit shkollor që lamë pas kanë përfituar bursë rreth 1800 nxënës, ndërsa vitin e ardhshëm parashikohet që kjo shifër të arrijë në 1900, numër që vit pas viti është rritur me rreth 100 nxënës më shumë.
Stimulimi
Bursat janë parashikuar për disa kategori nxënësish. Duke iu referuar planit të integruar të Ministrisë së Arsimit, objektivat synojnë mbështetjen me bursa të nxënësve nga 16 rrethe të vendit, që zgjedhin të regjistrohen në arsimin profesional. Ndërsa nga ana tjetër, nuk do të mungojë një stimul i veçantë edhe për nxënësit që mësojnë në profilet bujqësi, veterinari, ndërtim dhe pyje. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili e ka firmosur këtë dokument në nëntor të vitit 2009, ka theksuar se arsimi profesional përbën një ndër fokuset më të rëndësishme vit pas viti. Bashkëpunimi me partnerë të huaj, mobilizimi i të gjitha kapaciteteve të nevojshme institucionale, sipas ekspertëve të arsimit, do të sjellë zhvillimin e një sistemi modern të arsimit profesional. Krijimi i paketës nxitëse, që përfshin bursa për shkollim dhe fonde për vetëpunësim pas mbarimit të shkollës, nxit interesin për arsimin profesional dhe krijon mundësinë për bashkëpunim me qeverisjen vendore dhe komunitetin. Ndërkohë specialistët e MASH theksojnë se përparësi do ti jepet edhe arsimit profesional në shkollat private.
Kriteret
Nxënësit, që plotësojnë kriterin ekonomik
Ata që vijnë nga zonat verilindore dhe juglindore të vendit
Ata që zgjedhin degët: ndërtim, bujqësi, teknologji, veterinari
Ata që në vitin e II, III, IV, V, kanë mesatare 8.5 e lart
Paratë
Bursa është e plotë. Shërben për pagesën e teksteve shkollore, qëndrimit në konvikt, ushqimit në mensa dhe transportit
Mbi 1 mijë bursa për nxënësit e profesionaleve burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email