FSHF, shpërblim kombëtares për fitoren në Norvegji
Para ndeshjes së kthimit, lamtumira e Lalës dhe Skelës
Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, që është edhe organi më i lartë vendimmarrës, u mblodh nën drejtimin e presidentit Armand Duka, duke marrë disa vendime të rëndësishme mes të cilave edhe zhvillimi i një ceremonie lamtumire për dy ish-mesfushorët e kombëtares, Altin Lala dhe Ervin Skela.
Ceremonia në nder të dy figurave të shquara të fanellës kuqezi do të zhvillohet përpara startit të takimit eliminator kundër Norvegjisë në datën 7 qershor në stadiumin Qemal Stafa. Lidhur me kombëtaren, Komiteti Ekzekutiv aprovoi edhe premion prej 120 mijë eurosh për lojtarët dhe stafin pas suksesit historik në Oslo të Norvegjisë. Në vijim, punimet u përqendruan te futbolli, vendas ku u vendos shtyrja e finales së Kupës së Shqipërisë nga data 15 në 17 maj në orën 20:00, ndërsa ndeshjet e edicionit të ardhshëm rikthehen në formatin klasik me përballje direkte.
Skema e Kategorisë Superiore për sezonin 2013-2014 merr një tjetër formë, me 12 skuadra të cilat do të ndeshen në tri faza. Një sezon më pas, kampionati do të reduktohet në 10 skuadra, ndërsa Kategoria e Parë do të ndahet në dy grupe duke filluar që nga sezoni 2014-2015. Një vendim tjetër i rëndësishëm është edhe zëvendësimi i anëtarit të Komitetit Ekzekutiv, Alfred Ziaji, i cili u nda nga jeta pak kohë më parë, me kandidatin e parë të listës së zgjedhjeve të vitit 2010, zotin Lulëzim Minxhozi. Për sa u përket problemeve në infrastrukturë, klubet e Apolonisë dhe Teutës morën aprovimin për ndryshimin e tapetit të fushave të tyre, ndërsa fusha e stërvitjes së Partizanit do të shtrohet me bar artificial.
s.s.
FSHF, shpërblim kombëtares për fitoren në Norvegji burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email