E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi 100 viktima nga i ftohti në Europë

Nën acar
 

 
Temperaturat e ulëta dhe reshjet e mëdha të borës shkaktojnë të vdekur dhe kaos në mbarë kontinentin
 
 Më shumë se 100 vetë kanë vdekur si pasojë e të ftohtit që ka përfshirë Europën, ku temperaturat e acarta dhe reshjet e dëborës kanë shkaktuar kaos nga Moska deri në Milano. Në Poloni, ku temperaturat kanë arritur deri -20 gradë celsius në disa rajone, policia ka bërë apel që njerëzit të njoftojnë për persona të shtrirë jashtë në të ftohtë. Të paktën 42 vetë, pjesa më e madhe të pastrehë, vdiqën vetëm këtë fundjavë. Në Ukrainë, 27 vetë ngrinë për vdekje, pasi termometri shënoi një rënie drastike të temperaturave javën e kaluar. Autoritetet në Rumani deklaruan se 11 persona nuk i rezistuan të ftohtit, duke humbur jetën nga ngricat dhe në Republikën çeke numri i viktimave ka arritur në 12. Në Gjermani, ku temperaturat kanë arritur deri në -33 gradë celsius në disa pjesë të vendit, të paktën 7 vetë kanë humbur jetën nga moti i acartë. Për miliona njerëz anembanë kontinentit, i ftohti ka sjellë çrregullimin e mjeteve të transportit, me anulime të fluturimeve dhe kaos në trafik, duke u prishur planet e Krishtlindjeve dhe të fundvitit. Rinisja e shërbimit të trenave “Eurostar” pas tri ditësh nga bllokim prej të ftohtit, solli një çlirim për pasagjerët që udhëtojnë mes Francës, Belgjikës dhe Anglisë, por shumë trena në mbarë Europën vazhdojnë të jenë të bllokuar. Aeroportet po përballen me pistat e ngrira, gjë që ka sjellë anulimin e qindra fluturimeve. Në Frankfurt, ku reshjet e borës shkaktuan vonesa dhe anulime, 3 mijë vetë u detyruan të kalojnë natën brenda terminaleve të aeroportit kryesor të qytetit. “është një ditë totalisht kaotike, askush nuk e di se çfarë po ndodh, as ne dhe as stafi”, - tha një pasagjere që priste në radhë, cituar nga e përditshmja “Die Welt”. As rrugët nuk i kanë shpëtuar kaosit. Pas një fundjave që solli reshjet më të mëdha të borës në 100 vitet e fundit, rrugët e Moskës u bllokuan me vargje të gjata makinash që prisnin me orë të tëra në kryeqytetin rus. Në Itali, ku dimri zakonisht është i butë, autostradat në verilindje u mbyllën dhe Ministria e Mbrojtjes dërgoi helikopterë në Sicili për të shpërndarë ndihma mjekësore. Në Milano, qindra ushtarë punuan gjatë gjithë natës për të pastruar rrugët e mbuluara nga bora dhe akulli.
 
 
Kinë, nis ndërtimi i urës më të gjatë në botë
Në vitin 2015, Hong Kongu dhe Makao do të jenë më afër, pasi në Kinë kanë nisur punimet për realizimin e urës më të gjatë në botë mbi det. Bëhet fjalë për një konstruksion 50 kilometra, prej të cilave 35 janë mbi ujë dhe 5,5 të zhytur në një tunel nëndetar. Pjesët e strukturës gjigande janë të gjitha të prodhuara më parë. Ura, e cila do të lidhë Zhuhain, Hong Kongun dhe Makaon do të ketë gjashtë korsi dhe premton tu rezistojë uraganeve dhe tërmeteve. Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për një projekt me kosto prej 7,6 miliardë eurosh. Siç ndodh rëndom në Kinë, për ndërtimin e urës është parashikuar një afat i shkurtër prej vetëm 5 vjetësh. Brenda 2015-ës ura në formë Y-je do të ketë gjashtë korsi dhe do të jetë e aftë të përballojë erëra deri në 201 km në orë. Veç kësaj, sipas përgjegjësit të projektit, Zhou Yongling, ura është projektuar që t’u rezistojë tërmeteve deri në 8 ballë të shkallës rihter. Shpenzimet do të ndahen në tresh mes tru qeverive të Kinës, Hong Kongut dhe Makaos. Këmbët e urës do të arrijnë një lartësi deri në 170 metra. Ura që do të realizohet mbi të gjitha për përfitimet ekonomike që do të sjellë është pjesë e një plani shtetëror të Kinës, që kërkon të nxisë zhvillimin ekonomik të rajonit lindor brenda vitit 2020. Megjithatë, projekti madhështor ka hasur në kundërshtimin e shoqatave ambientaliste, që vënë në dukje disa efekte shkatërruese që ndërtimi i urës do të ketë në ekosistemin e zonës. Siç raporton e përditshmja “The Guardian”,  shoqatat për mbrojtjen e kafshëve kanë paralajmëruar për pasojat negative që punimet do të kenë te disa specie detare, mes të cilave delfini i bardhë kinez, një specie mjaft e rrallë që jeton në Deltën e Lumit të Perlave.
 
 
 
Princi Uilliam “i pastrehë”
 
Fle një natë në kartonë
Duket se djali i parë i Dianës dhe Karlit ka vendosur të ndjekë gjurmët e nënës së tij dhe të sensibilizojë opinionin publik për problemet sociale. Për Uilliamin, i dyti në radhë për fronin mbretëror të Britanisë së Madhe, zgjedhja ishte një rrugicë të akullt të Londrës, shumë larg pallatit. Aty kaloi një natë të tërë për të tërhequr vëmendjen mbi problemet e adoleshentëve të pastrehë të Mbretërisë së Bashkuar. Pak ditë më parë, 27-vjeçari, me xhinse dhe xhup e beretë, fjeti pranë urës së Blackfriars, pranë Seyi Obakin, përgjegjësi i shoqatës “Centrepoint” që kujdeset për të pastrehët. Në një mesazh të publikuar në uebsajtin e shoqatës, Obakin shpjegoi se princi fjeti mbi kartonë, një gjë jo banale, nëse kihet parasysh që atë natë temperaturat zbritën deri në 4 gradë celsius. Por momenti më i vështirë, siç ka treguar vetë princi, “ishte kur gati sa nuk fshimë nga makina e mbeturinave”. Obakin pohoi se princi donte të merrte pjesë në këtë iniciativë me çdo kusht, për të kuptuar më mirë kushtet e të pastrehëve dhe për të sensibilizuar opinionin publik. Pas natës së vështirë të kaluar në rrugë, princi festoi së bashku me miqtë e tij 40-vjetorin e organizatës me torta e tullumbace.
 
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›