OKB: Paratë e drogës i shpëtuan nga kriza globale
Mafia shpëtoi bankat
Pastrimi më i madh i parave në të gjitha kohërat. 352 miliardë dollarë nga paratë e krimit të organizuar u injektuan në sistemin financiar në kulmin e krizës
Ekonomia botërore i shpëtoi kolapsit financiar edhe si pasojë e pastrimit të parave nga trafiqet e drogës dhe aktivitetet e tjera të jashtëligjshme. Deklarata është bërë vetëm pak ditë më parë nga kreu i zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin. Duke folur për “Obersver”, Antonio Maria Kosta tha se paratë e drogës me vlerë miliarda dollarë ndaluan fundosjen e sistemit financiar, atëherë kur kriza globale arriti kulmin. Kosta pohoi se ka parë prova që të ardhurat e krimit të organizuar ishin i vetmi kapital investimi i likuidueshëm, i vlefshëm në disa prej bankave kryesore, duke i shpëtuar kështu nga falimentimi vitin e kaluar. Sipas tij, rreth 352 miliardë dollarë (një shumë kjo sa gjysma e planit të shpëtimit nga kriza të qeverisë amerikane) nga përfitimet e tregtisë së drogës u injektuan në sistemin ekonomik. Ekspertët thonë se ky fenomen ngre pyetje mbi ndikimin e krimit në sistemin ekonomik në kohë krizash. Ai do të nxisë gjithashtu hetimin e mëtejshëm të sektorit bankar. Lajmi vjen në një kohë kur liderët botërorë, përfshirë këtu presidentin amerikan, Barak Obama dhe kryeministrin britanik Gordon Braun, kanë bërë thirrje për rregulla të reja nga Fondi Ndërkombëtar Monetar. Kosta tha se tashmë këto kapitale të pista u pastruan tërësisht, në atë që mund të konsiderohet si pastrimi më i madh i parave në të gjitha kohërat. Nëse denoncimet e OKB-së do të rezultojnë të vërteta, atëherë kriza globale nuk i solli botës vetëm të këqija ekonomike, si rritjen e varfërisë dhe humbjen e miliona vendeve të punës. Por në faturën e saj tashmë mund të shtohet edhe një kosto mjaft e rëndë, pra ligjërimi i kapitaleve financiare të mafies, para të prodhuara nga trafiqet e drogës, prostitucionit dhe aktiviteteve të tjera të jashtëligjshme. Duke folur nga zyra e tij në Vjenë, Kosta tha se zbuloi provat e para të thithjes së parave të pista nga sistemi financiar nëpërmjet agjencive të inteligjencës dhe prokurorët, rreth 18 muaj më parë. “Në shumë rrethana, paratë nga droga ishin i vetmi kapital i likuidueshëm. Në gjysmën e dytë të 2008-ës, likuiditeti ishte problem kryesor i sistemit bankar dhe si pasojë, kapitali i likuidueshëm u shndërrua në një faktor të rëndësishëm për t’i shpëtuar krizës”, - shtoi Kosta. Sipas tij, në kulmin e krizës globale, pjesa më e madhe e bankave ishin në vështirësi financiare, madje disa falimentuan, pasi nuk kishin likuiditete. Sistemi financiar botëror thuajse u paralizua, sepse askush nuk kishte para “cash”. Kështu, paratë e krimit të organizuar ishin të vetmet kapitale të likuidueshme që mundësuan shpëtimin e disa bankave. “Kreditë e brendshme bankare u financuan nga paratë e tregtisë së drogës dhe aktiviteteve të tjera të jashtëligjshme. Ka shenja të qarta se disa prej bankave shpëtuan pikërisht nga kjo mënyrë”, - tha Kosta, duke refuzuar të identifikojë vendet apo bankat që kanë marrë para nga tregtia e drogës, pasi kjo sipas tij, do të ishte e papërshtatshme, për shkak të funksionit që mban zyra e tij. Gjithsesi, Kosta shtoi se këto para tashmë janë pjesë sistemit zyrtar dhe efektivisht janë pastruar. FMN ka llogaritur se një pjesë e mirë e bankave amerikane dhe atyre europiane humbën më shumë se 1 trilion dollarë në asete toksike dhe si pasojë e kredive të këqija nga janari i 2007-ës deri në shtator të 2009-ës dhe se më shumë se 200 institucione kreditore falimentuan.
Një trashëgimtar për Carin Putin
E dashura e kryeministrit rus lind djalë
Burime mediatike njoftuan dje, se e dashura e supozuar (pasi lidhja e tyre nuk është vërtetuar asnjëherë), Alina Kabaeva, ka lindur një djalë, për të cilin burime jozyrtare thonë se është djali i kryeministrit rus, Vladimir Putin. Sipas “New York Post”, Kabaeva, kampionia bukuroshe 26-vjeçare e gjimnastikës ritmike lindi fëmijën vetëm pak ditë më parë në një nga maternitetet e Moskës, dhe i ka vënë emrin djalit Dimitri. Kabaeva është identifikuar si e dashura e Putinit, qëkur ajo u tërhoq nga kampionati në 2006-ën, pasi kishte fituar dy medalje olimpike dhe 18 medalje në kampionatet botërore, duke u bërë kështu gjimnastja më e dekoruar në histori. Vitin e kaluar, mediat njoftuan se 57-vjeçari Putin kishte divorcuan gruan e tij, Ludmilla, nënën e dy vajzave të tij, për t’u martuar me Alinan. Kabaeva, e cila është gjysmë myslimane nga babai i saj, ka lindur në Tashkent, kryeqytetin e Uzbekistanit, kur ai ishte ende pjesë e Bashkimit Sovjetik. Një burim ka thënë për “New York Post”, se ish-kampionia e gjimnastikës ritmike u ka thënë miqve të saj se dëshiron të ketë më shumë fëmijë, pasi i pëlqen të jetë nënë. Sipas uebsajtit “Readrussia.com”, pjesa më e mistershme e kësaj historie është se asnjë media ruse nuk ka raportuar për faktin se Kabaeva është bërë me djalë, pavarësisht faktit se ajo është një personazh i rëndësishëm dhe i famshëm në Rusi dhe ish-republikat e tjera sovjetike.