Skanerët e trupit: Italia u thotë po, polemika në Britani
Striptizë në aeroporte
Pas SHBA-ve dhe Holandës, edhe Italia ka vendosur të vendosë pajisjet nëpër disa aeroporte. Ndërsa Londra përballet me kritika për shkelje të ligjeve
Ka shkaktuar mjaft polemika në Britaninë e Madhe ideja e përdorimit të skanerëve të trupit nëpër aeroporte, si një masë për të rritur sigurinë e fluturimeve ajrore. Qeveria e Londrës, e cila dëshiron t’i aktivizojë në shkallë kombëtare, po tenton të zbusë gjakrat e atyre që akuzojnë se kjo procedurë shkel ligjet britanike kundër pedopornografisë. Aparaturat e reja, të cilat kanë ngjallur reagime të ashpra jo vetëm në Britani, janë të afta të shohin njeriun krejtësisht të zhveshur. Sipas të përditshmes “The Guardian”, imazhet e prodhuara nga skaneri i trupit mund t’i japin jetë një “striptizi virtual” të pasagjerit që kalon nëpër aparaturë. Veç kësaj, Terri Dowty, i OJQ-së “Veprimi për të Drejtat e Fëmijëve”, pohoi se skanerët mund të dhunojnë gjithashtu ligjet që tutelojnë fëmijët, duke pasur parasysh faktin se do të krijohen imazhe nudo të minorenëve. Një zëdhënës i Departamentit të Transporteve siguroi se, nëse vihen në punë këto skanerë, do të garantohet një kod sjelljeje për të gjithë punonjësit e pajisjeve. E ndërsa vazhdojnë diskutimet, përgjegjësit po mendojnë që të përdorin skanerët e trupit vetëm te pasagjerët mbi 18 vjeç. Por ndërkohë, Italia ka vendosur t’u thotë “Po” skanerëve të trupit.
Italia pranon skanerët e trupit
Këtë e kanë pohuar dje vetë ministrat Fratini dhe Maroni. Kështu, radha e kontrolleve nëpër aeroporte pritet të zgjatet edhe më shumë. Fillimisht ishin kontrollet e bagazheve të dorës, pas ngjarjeve të 11 shtatorit, që sollën rregulla të reja, si ndalimi i mbajtjes së objekteve prerëse. Më vonë, pas atentateve me eksploziv të lëngshëm në Britaninë e Madhe, doli në qarkullim rregulli për të mos lejuar shishe me më shumë se 100 ml në bagazhet e dorës. Tani, pas atentatit të mbetur në tentativë në fluturimin Amsterdam-Detroit ditën e Krishtlindjeve, do të jetë e nevojshme të dalim nudo përpara se të hipim në avion, nëse destinacioni ynë është Italia. Sipas ministrit të Brendshëm italian, Roberto Maroni, nëse shoqëritë aeroportuale do të marrin përsipër menaxhimin e këtyre pajisjeve, skanerët truporë do të vendosen shumë shpejt në aeroportet e Fiumicino e Malpensa. Për Maronin, kritikat mbi privatësinë kundër skanerëve të trupit mund të kapërcehen me skanerë që nuk shfaqin shumë figurën e trupit të pasagjerit, por që janë në gjendje të tregojnë çdo anomali, si p.sh. prania e ndonjë objekti apo pakoje të dyshimtë. Ndërsa ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, nga ana e tij shpjegoi se “terroristët kërkojnë instrumente gjithnjë e më të sofistikuara për t’iu shmangur kontrollit nëpër aeroporte. “Privatësia e njerëzve është një e drejtë absolute dhe e pashkelshme, por e drejta për të mos u hedhur në erë është parakushti i të gjitha lirive”, - tha ai. Tashmë do të pajisen me “body-scanner” shumë aeroporte amerikane, holandeze, ndërsa edhe Gjermania ka shfaqur interes. Po kështu, edhe Londra ka premtuar t’i fusë gradualisht, pasi të ketë shuar polemikat.
SHBA, një transeksual në ekipin e Obamës
Presidenti thyen një tjetër tabu
Barak Obama ka emëruar një transeksual në administratën e tij, dhe natyrshëm lajmi ka bërë bujë. Bëhet fjalë për Amanda Simpson, këshilltare teknike e Ministrisë së Tregtisë. Lajmi u bë publik nga uebsajti “ABC”, i cili citon se vetë Simpson ndjehej mjaft e kënaqur. “Si transeksualja e parë e emëruar nga presidenti në administratën e tij, shpresoj të pasohem nga qindra të tjera”, - tha ajo. Simpson, përpara se të bëhej grua, ishte një pilot kolaudator i avionëve. Kështu, Obama me këtë emërim ka thyer një tjetër tabu, edhe pse nuk është bërë ende asnjë deklaratë zyrtare nga Shtëpia e Bardhë lidhur me vendimin. Në jetën e saj të mëparshme si burrë, Simpson ishte kolaudator i avionëve të luftës dhe zëvendësdrejtor i zhvillimit të teknologjive të avancuara të gjigandit të raketave “Raytheon”. Më vonë mori pjesë pa sukses në zgjedhjet për dhomën e përfaqësuesve të Arizonës dhe ka qenë delegate demokrate për Hilari Klinton në konventën demokrate të gushtit 2008, që kurorëzoi Barak Obamën si kandidat për në Shtëpinë e Bardhë.
Fillon fushata në Britani
Partitë kryesore në Britani kanë nisur atë që mund të dëshmohet si fushatë e gjatë dhe e ashpër zgjedhore, duke u premtuar votuesve vite të tëra të “shtrëngimit të dhëmbëve”, në vend të premtimeve të zakonshme zgjedhore. Konservatorët në opozitë, të kryesuar nga Devid Kameron, konsiderohen si favoritë për t’i dhënë fund pushtetit 13-vjeçar të Partisë Laburiste, të kryesuar nga kryeministri aktual, Gordon Braun. Popullariteti i laburistëve kërcënohet për shkak të recesionit të thellë, për shkak të luftës në Afganistan dhe skandalit në lidhje me shpenzimet e politikanëve. Por analistët kanë theksuar se konservatorët kanë dështuar që të sigurojnë një epërsi të mjaftueshme në anketat e opinionit publik, sa për të theksuar që tani se ata do të sigurojnë shumicën absolute në parlament, në zgjedhjet të cilat pritet të zhvillohen në fillim të majit. Ata theksojnë se “parlamenti pezull”, në të cilën asnjëra parti nuk do të ketë shumicën absolute, është një mundësi mjaft reale. Kjo mundësi po frikëson tregjet financiare, ngase frikësohen se qeveria e pakicës apo e koalicionit do të jetë tejet e dobët për të ndërmarrë aksion të vendosur, me qëllim që të ndalet deficiti gjithnjë e më i madh në buxhetin e Britanisë. Borxhi publik këtë vit pritet të ngrihet në 287 miliardë dollarë, pasi Braun po shpenzon shumë, për të lëvizur vendin përtej recesionit, i cili ka ndikuar që prodhimi deri më tani të shënojë një rënie prej 6 përqindësh. “Mendoj se gjasat për parlamentin pezull po shtohen, nëse konservatorët nuk arrijnë të fitojnë mbi 40 për qind të votave”, thotë Simon Li, profesor i shkencave politike në Universitetin Hull. Sidoqoftë, Li beson se shumica e ngushtë e konservatorëve me gjasë është epilogu më real i zgjedhjeve. Braun është akuzuar se ka planifikuar një strategji zgjedhore të “luftës mes klasave”, pasi akuzoi konservatorët muajin e kaluar se po shohin ëndrra me politikën e tyre tatimore. Kameron është edukuar në Eton, në një prej shkollave më ekskluzive private në Britani, e më pas në Universitetin e Oksfordit dhe ka sfondin e një njeriu të privilegjuar. Për dallim, Braun, i cili si pasojë e një aksidenti sportiv ka humbur njërin sy, theksoi javën e kaluar se ka qenë i detyruar që të luftojë për çdo gjë që ka arritur në jetën e tij. Menjëherë pas kremtes së Vitit të Ri, laburistët dhe konservatorët filluan garën e tyre zgjedhore. Konservatorët, të cilët fushatën e nisën të shtunën e kaluar, publikuan kaptinën shëndetësore të programit të tyre zgjedhor, duke premtuar se burimet do të përqendrohen në rajonet më të varfra me problemet më të mëdha shëndetësore. Ministri laburist i Financave, Alister Darling, sulmoi atë që e cilësoi si vrimë të financimit, në planin e konservatorëve për tatime dhe shpenzime, në vlerë prej 34 miliardë funtesh. Kameron hodhi poshtë akuzat e Darlingut, duke i cilësuar ato si “gjepura që nga fillimi deri në fund”. Në strategjinë e pazakonshme për një parti në opozitë, konservatorët po kërkojnë reduktimet e thella dhe urgjente në deficit dhe nuk fshehin faktin se për këtë do të nevojitet një reduktim i dhimbshëm i shpenzimeve. Laburistët janë më pak ambiciozë, planifikojnë që të përgjysmojnë deficitin gjatë katër viteve të ardhshme, por gjithashtu parashikojnë edhe vështirësi gjatë viteve në vijim. “Nuk e fsheh aspak faktin se vitet në vijim do të jenë mjaft të vështira”, theksoi Darling. Për herë të parë në Britani, udhëheqësit e partive kryesore janë pajtuar që të zhvillojnë debate të drejtpërdrejta televizive para zgjedhjeve. Anketat e opinionit publik dëshmojnë se konservatorët kanë një epërsi prej 9 deri në 10 pikësh ndaj laburistëve. Por kjo është epërsia minimale, e cila u nevojitet për të siguruar shumicën në parlament. Kjo shpjegon faktin se përse si Kameron, ashtu edhe Braun kanë një qëndrim shumë më miqësor ndaj Liberalëve Demokratikë, partisë më të vogël në opozitë. Ata e dinë se Liberalët Demokratë mund të përcaktojnë krijimin e koalicionit të ardhshëm, nëse partitë e mëdha dështojnë që të sigurojnë shumicën absolute.