Mbi 200 të vrarë

Raportet flasin për atë se në fshatin Tremseh, të provincës Hama, forcat siriane të enjten kanë vrarë të paktën 200 njerëz.
Aktivistët opozitarë transhuan fjalët e banorëve vendorë, sipas të cilëve sulmet fillimisht janë kryer me helikopterë dhe tankse. Pas kësaj, pjesëtarët e milicisë besnike të presidentit al-Assad, Shabiha, kanë depërtuar në fshat dhe kanë filluar me pushkatimin e banorëve të shumtë.
Nga ana tjetër, mediat shtetërore siriane nënvizuan të premten se ishin “grupet terroriste” ato që e kryen masakrën, me qëllim të rritjes së tensioneve pak para mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB’së, që për temë do të ketë misionin monitorues të OKB’së në Siri. Nëse konfirmohet si i vërtetë, sulmi ndaj fshatit Tremseh do të jetë njëra ndër ngjarjet më tragjike gjatë luftës në Siri.
Vlerësohet se si pasojë e konfrontimeve, që nga fillimi i kryengritjes në Siri – në mars të vitit 2011 - janë vrarë afro 16,000 njerëz. Sipas raporteve jozyrtare, ushtria tentoi të rikthente fshatin Tremseh pasi që ai kishte rënë në duart e kryengritësve.
Këshilli Revolucionar në Hama njoftoi për agjencinë Reuters se shumica e të vrarëve në Tremseh janë civilë. Si rezultat, të premten është raportuar për protesta të reja në Damask, Idlib dhe Hama.