Mbi 25% e automjeteve importohen nga Koreja e Jugut

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Tregu i automjeteve në Shqipëri po ndryshon me shpejtësi, teksa Koreja e Jugut kryeson regjistrimet mujore me rreth 25%, duke e bërë vendin lider ndër importuesit në vend.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, gjatë muajit janar 2026 janë regjistruar automjete që vijnë nga disa nga shtetet kryesore prodhuese në botë, duke pasqyruar zgjedhjet dhe nevojat e qytetarëve shqiptarë.
Republika e Koresë kryeson listën me 25.3% të regjistrimeve, pasuar nga Gjermania me 15%, ndërsa Italia dhe Kina kontribuojnë secila me 13.1%. Zvicra përfaqëson 7.6%, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës zënë 7.3% të totalit.
Sipas DPSHTRR-së, ky trend tregon një treg më konkurrues dhe më të hapur ndaj markave dhe teknologjive të ndryshme, duke ofruar më shumë mundësi për qytetarët që të zgjedhin automjetin që u përshtatet më së miri nevojave dhe buxhetit të tyre.
Në fund të vitit 2025, numri i mjeteve rrugore në qarkullim në Shqipëri ishte 1.048.092.
Autoveturat përbënin 80,8% të totalit, motorët 6,1%, ndërsa automjetet për transport të përzier 5,8%.
Sipas qarkut, Tirana zë peshën më të madhe me 34,7% të totalit, e ndjekur nga Durrësi me 13,6%. Numrin më të ulët e kanë Gjirokastra dhe Kukësi, përkatësisht 2,1% dhe 2,4%. /j.p/
