E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbi 2,5 milionë aplikime për kontributet shoqërore përmes “e-Albania”-s

TIRANË, 10 shtator /ATSH/ Platforma qeveritare “e-Albania” vijon të jetë një mjet i rëndësishëm digjital për qytetarët shqiptarë, duke ofruar akses të menjëhershëm dhe transparent në të dhënat e tyre për kontributet e sigurimeve shoqërore.

Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2015 deri më sot, janë realizuar 2.515.569 aplikime, me një mesatare prej rreth 920 mijë aplikime në vit.

Ndërkohë që për periudhën janar–gusht 2025, janë regjistruar 775.853 aplikime, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë që shënoi 642.715 aplikime në janar–gusht 2024.

Digjitalizimi i shërbimeve publike përmes “e-Albania”-s ka forcuar transparencën dhe aksesin e qytetarëve për të marrë këto shërbime.

Shërbimi “Kontributet e mia në Sigurimet Shoqërore” përmes “e-Albania”-s u mundëson qytetarëve që të verifikojnë në kohë reale të dhënat e tyre të kontributeve; të evidentojnë mospërputhje dhe të kërkojnë korrigjime në rast nevoje dhe të planifikojnë më mirë të ardhmen e tyre pensionale dhe përfitimet sociale.

Ky shërbim është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të modernizuar administratën publike dhe për të sjellë shërbime më të shpejta, më të thjeshta dhe më transparente për qytetarët.

Digjitalizimi i shërbimeve publike po përmirëson ndjeshëm marrëdhënien qytetar-shtet, duke rritur aksesin, transparencën dhe efikasitetin në ofrimin e informacionit jetik për qytetarët. /j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›