STRASBURG – Von der Leyen prezanton nismën për automjetet elektrike në BE

STRASBURG, 10 shtator /ATSH-DPA/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, prezantoi sot një nismë për automjete elektrike të vogla dhe të përballueshme në bashkëpunim me industrinë automobilistike.
“Miliona evropianë duan të blejnë automjete evropiane të përballueshme”, tha Von der Leyen gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian, në Strasburg.
“Ne duhet të investojmë në automjete të vogla dhe të përballueshme, si për tregun evropian, ashtu edhe për të përmbushur rritjen e kërkesës globale”, shtoi ajo.
Në krahasim me konkurrentët e tyre nga Kina, prodhuesit evropianë kanë ofruar deri tani makina elektrike relativisht të shtrenjta.
Von der Leyen nuk sqaroi nëse iniciativa do të kufizohej vetëm te automjetet me bateri, por theksoi se e ardhmja e industrisë automobilistike do të ishte elektrike, dhe Evropa do të ishte pjesë e saj.
Presidentja e Komisionit njoftoi gjithashtu një paketë financimi prej 1,8 miliardë eurosh për prodhimin e baterive në Evropë.
“Bateritë janë një element kyç për teknologjitë e pastra, veçanërisht për automjetet elektrike”, tha ajo.
Von der Leyen konfirmoi gjithashtu se objektivat klimatike të BE-së për automjetet do të rishikoheshin, pas presionit të rritur nga disa vende të BE-së dhe përfaqësues të biznesit – për të shqyrtuar ndalimin e automjeteve me motor me djegie të brendshme nga viti 2035. /Ad.Ab./