E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi 250 ilaçe bazë për pacientët në spital

Pas mbylljes së paketës së barnave, parashikimet dhe blerjet do të bëhen për nevojat deri në fund të vitit

Afishimi i listës së ilaçeve dhe pajisjeve në çdo shërbim shëndetësor do të realizohet fill pas plotësimit të disa procedurave të domosdoshme. Një grup pune i ngritur posaçërisht për t’u kujdesur lidhur me hartimin e një liste, e cila do të përmbajë ilaçet bazë që u nevojiten shërbimeve kryesore në spitalin “Nënë Tereza”, do të vendosë numrin ekzakt të këtyre barnave. Sipas të dhënave dhe diskutimeve të kryera deri tani, do të jenë rreth 250 ilaçe bazë, të cilat përdoren për konsum të përditshëm në spital dhe që kanë rol kryesor në funksionimin e kujdesit shëndetësor, trajtimit me medikamente.

Sipas Qendrës Spitalore Universitare, grupi i punës do të vendosë përfundimisht për paketën e barnave spitalore brenda një kohe të shkurtër. Në këtë listë do të shkruhen alternativat, si dhe sasia e nevojshme, sipas parashikimeve të kryera për furnizimin me këto barna deri në fund të vitit 2010.

Paketa e medikamenteve

çdo shërbim spitalor do të paraqesë listën e barnave bazë, të cilat konsumohen gjerësisht në pavijon dhe medikamente të cilat konsiderohen të domosdoshme për trajtimin e sëmundjeve.
Më pas do të bëhen parashikimet se sa do të jetë sasia e nevojshme për të përballuar nevojat dhe kërkesat e pacientëve që marrin kujdes shëndetësor në çdo pavijon. Barnat bazë, sipas QSUT-së, nuk do të mungojnë, ndërkohë që medikamentet specifike apo paketat e përdorura për trajtime të veçanta do të shpërndahen dhe do të jepen sipas protokolleve të ndjekura deri tani. Si në rastin e Onkologjikut, kur pacientët, të afërmit apo ata që shoqërojnë të sëmurët, i tërheqin barnat e veçanta duke firmosur pranë farmacisë qendrore të Qendrës Spitalore.

Do të jenë rreth 250 medikamente te paketat bazë, por numri i saktë i kësaj liste do të publikohet brenda pak kohëve. Një grup pune për hartimin e kësaj liste është ngritur sipas një udhëzimi në fillim të muajit mars. Do të jenë pikërisht shefat e shërbimit, si dhe anëtarët e këtij grupi, që do të jenë përgjegjësit direkt lidhur me përcaktimin e listës së barnave bazë, si dhe parashikimit të nevojave deri në fund të vitit.

Afishimi i barnave

Menjëherë pas hartimit të listës përfundimtare dhe përcaktimit të barnave kryesore, çdo shërbim do të afishojë në mënyrë të dukshme pranë dyerve të pavijonit emrat e ilaçeve, medikamenteve, pajisjeve mjekësore që disponon farmacia e secilit repart. Kjo është menduar se do t’u vijë në ndihmë pacientëve, të cilët shpesh herë blejnë barna në farmaci, edhe atëherë kur farmacia e spitalit nuk ka mungesa. Duke nisur nga afishimi i barnave që ka spitali, pacientët nuk do të shpenzojnë më para për ilaçe që janë blerë një herë me fondet e buxhetit të shtetit akorduar qendrave shëndetësore.

Blerja e ilaçeve do të nisë menjëherë pas mbylljes së procedurave për përcaktimin përfundimtar të paketës së ilaçeve. Ndërkohë që drejtoria spitalore ka sqaruar se borxhet e akumuluara nga vitet e kaluara, faturat e pashlyera kundrejt firmave farmaceutike, nuk do të sjellin pengesa për blerjet e ardhshme.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›