E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderi i uniformave, të tjerë persona nën hetim

Prokuroria

Prokuroria e Tiranës vë në “shënjestër” të tjerë persona për skandalin e tenderit të uniformave të policisë e ushtrisë në Ministrinë e Brendshme. Pas lirimit të të gjithë të dyshuarve nga gjykata, megjithëse sipas akuzës ishin të gjitha provat që të vërtetonin dhe vërtetojnë abuzimet, Task-Forca fillon të “gërmojë” në dosjen e hapur penale. Sipas të dhënave të para, krahas personave të marrë tashmë të pandehur dhe të arrestuar fillimisht, janë të tjerë të dyshuar si përgjegjës për këto abuzime. Burimet deklarojnë se në ditët pasardhëse do të verifikojnë dosjen penale dhe mund të marrin urdhra për fillimin e hetimeve ndaj tyre. Në lidhje me vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila liroi nga burgu edhe Bujar Muratin, drejtorin e Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme, prokuroria deklaron se nga provat që janë në dosje vërtetohet plotësisht konsumimi i veprës penale nga i pandehuri në fjalë. Ndryshimi i masës së sigurisë nga arrest me burg, në arrest shtëpie për Muratin, cilësohet “i paligjshëm” nga akuza. Dy ditë më parë, Gjykata e Lartë ka liruar nga burgu drejtorin e Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti. Bujar Murati do të qëndrojë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi është cilësuar nga Kolegji Penal i Gjykatës Supreme i parrezikshëm për shoqërinë. Në këtë mënyrë janë rrëzuar dy vendimet e Shkallës së Parë dhe të Apelit, që kishin vendosur arrest me burg për Muratin. Ish-drejtori i Prokurimeve Publike, Bujar Murati, kërkoi liri nga Gjykata e Lartë vetëm pak ditë pas lirimit nga qelia të dy “bashkëpunëtorëve” të tij, Tahir Imami dhe Redi Popesku. Shkak për këtë rekurs është bërë ndryshimi i masave të sigurisë për të gjithë të dyshuarit si bashkëpunëtorë të Muratit në paracaktimin e fituesit të tenderit të uniformave me vlerë prej miliona lekësh. Gjykatat e të tria niveleve kanë liruar nga burgu pothuajse të gjithë të akuzuarit për skandalin e uniformave. I vetmi që është në burg është biznesmeni Ilir Sulo, i cili është arrestuar në Bullgari.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›