E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi 40 civilë masakrohen nga regjimi i Assadit në Homs

Të paktën 47 trupa grash dhe fëmijësh u gjetën në qytetin sirian të Homsit, një masakër atribuuar nga opozita forcave të regjimit dhe sipas medies zyrtare ''terroristëve''.

Këshilli Kombëtar sirian (CNS), formacioni kryesor i opozitës kërkoi një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së pas këtyre informacioneve, duke shtuar se masakra ishte kryer të dielën.

Presidenti i Vëzhguesit sirian të të Drejtave të Njeriut (OSDH), Rami Abdel Rahmane, konfirmoi një masakër kundër grave dhe fëmijëve në lagjen Karm al-Zeitoun, pa mundur të saktësonte numrin e viktimave.

"Trupat e të paktën 26 fëmijëve dhe 21 grave u gjetën në lagjet Karm al-Zeitoun dhe al-Adawiye'', konfirmoi Hadi Abdallah, militant lokal i Komisionit të përgjithshëm të revolucionit sirian.

Në anën tjetër, i dërguari i OKB-së dhe i Ligës Arabe, Kofi Annan, është larguar nga Damasku, pa e siguruar një marrëveshje për ndaljen e dhunës në Siri.

Pas dy ditësh të bisedimeve me presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, Annan tha se ka prezantuar “propozime konkrete” për ndaljen e dhunës, nga e cila, sipas vëzhguesve, prej marsit të vitit të kaluar janë vrarë 8500 persona.

Në bisedimet me Annanin, presidenti Assad ka refuzuar çfarëdo dialogu politik, derisa, siç tha ai, “grupet e armatosura terroriste” mbeten aktive në këtë vend.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›