E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO shton gjendjen e gatishmërisë në Afganistan

Forcat e NATO-s në Afganistan janë vënë në gjendje gatishmërie pasi që talebanët janë zotuar se do të hakmerren, pas vrasjes së 16 civilëve nga një ushtar amerikan.

Presidenti amerikan, Barack Obama i ka telefonuar homologut të tij afgan, Hamid Karzai dhe ka premtuar se fajtorët do të japin përgjegjësi.

Karzai e ka përshkruar sulmin si “vrasje të qëllimshme të civilëve”, për të shtuar se sulmi “është i pafalshëm”.

Parlamenti afgan ka kërkuar nga SHBA që të “dënojë keqbërësin” dhe ta vë para gjyqit publik.

Duke i quajtur ushtarët amerikanë “të sëmurë mendorë”, talebanët janë zotuar se do të hakmerren për vrasjet.

Talebanët kanë premtuar se do të intensifikonin sulmet e tyre ndaj amerikanëve, të cilët i kanë cilësuar si “njerëz të egër e të sëmurë mendorë”.

“Pjesa më e madhe e viktimave janë fëmijë të pafajshëm, të moshuar dhe gra, të masakruar pa mëshirë nga amerikanët barbarë, që kanë larë duart me gjakun e tyre”, thuhet në deklaratën e talebanëve.

Ndërkohë edhe nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit është shprehur keqardhje dhe ndjesë për aktin e dhunshëm ndaj “miqve afganë”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›