Mbi 46 mijë kosovarë “ishin” në UÇK

Më shumë se 46 mijë kosovarë pretendojnë se kanë qenë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ose kanë ndihmuar këtë strukturë në forma të ndryshme. Kështu të paktën është konstatuar nga Komisioni Qeveritar për Vlerësimin e statusit të veteranit të UÇK-së. Sipas këtij komisioni, dy ditë para se të përmbyllet afati për aplikim, më shumës e 46 mijë qytetarë i kanë tërhequr fetaplikacionet.
Përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, kanë shprehur shqetësimin e tyre rreth përpjekjeve për “allashverishe” për të marrë statusin e veteranit të UÇK-së. Madje, ka zëra se për të marrë “epitetin” e veteranit po jepen shuma të majme parash. Mirëpo, të gjitha këto janë hedhur poshtë nga përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta, të cilët theksojnë se është herët të thuhet se ka dallavere.
Kjo për faktin se të gjithë ata që kanë qenë pjesë e UÇK-së në cilëndo formë, janë të detyruar të aplikojnë prej pikës zero. Udhëheqësi i Zyrës për Veteranët e Luftës së UÇK-së në Zyrën e Kryeministrit, Faik Fazliu, ka konfirmuar se deri 2 ditë para mbylljes së afatit për aplikim kanë bërë kërkesa mbi 46 mijë njerëz për të marrë statusin e veteranit të UÇK-së.
Fazliu ka bërë apel tek mediet që të mos dezinformojnë, pasi që, siç ka thënë ai, tash nuk është koha kur mundet dikush të bëjë dallavere sepse procesi akoma është në fazën e aplikimit. “Aktualisht jemi në fazën e aplikimit ende s’ka njohje të statusit për askënd kështu që është mirë të mos krijohen kundërthënie në opinion sepse nuk është koha tash”, ka thënë Fazliu, duke shtuar se shqetësimet duhet të ngrihen pasi të përfundojë punën komisioni. Sipas tij, të drejtën e aplikimit e kanë të gjithë ata që mendojnë dhe pretendojnë se kanë bërë diçka gjatë luftës.
Megjithatë Fazliu ka thënë se të gjithë ata që deri më tash kanë qenë si invalidë dhe veteranë janë të detyruar që prej fillimit të aplikojnë. “Kjo do të thotë se të gjitha kanë filluar prej zeros. Pra pas gjithë kësaj nëse dikush vëren dallavere, ne jemi më të interesuarit që t’i ndalojmë ato”, ka thënë Fazliu.
Edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVLUÇK), Muharrem Xhemajli, ka thënë se në këtë fazë të flitet për këto manipulime është absolutisht e pasaktë. Kjo, sipas tij, sepse këtë mundësi e ka çdonjëri për të aplikuar.
“Andaj për të gjitha gjetjet mund të flasim pasi të fillojë verifikimi dhe të përmbyllet verifikimi, se a ka pasur manipulime a s’ka pasur”, ka thënë Xhemajli duke bërë me dije se procesi do të jetë shumë transparent dhe i hapur.
Ai ka thënë se të gjithë ata që do ta kenë të njohur statusin e veteranit, invalidit apo dëshmorit, listat do të jenë publike ku do të mundë ta marrin edhe qytetarët listën për të dhënë vërejtjet e tyre nëse vërtet dyshojnë në ndonjë rast.
“Njerëzit do ta kenë mundësinë ta shohin listën dhe të japin vërejtjet e tyre. Çështja tjetër është se për çdo dëshmi të rrejshme, edhe ligji parasheh që dëshmitë e rrejshme janë vepër penale dhe me ligj ndalohet”, ka thënë Xhemajli.
Kurse, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, dyshon se ka dallavere, pasi siç ka thënë ai, kjo po shihet ashiqare. “Të gjitha këto manipulime mund t’i parandalojë komisioni i cili po merret me verifikimin, por pak kam shpresë se do ta bëjë një gjë të tillë. Sikur ky komision të ish bërë nëpër zonat e luftës, për shembull nëpër batalione dhe brigada, shumë shpejt do të përfundonte edhe 99 për qind do të ishte i suksesshëm. Mirëpo, në këtë formë çfarë është duke u bërë, jam shumë i sigurt se do të dështojë, ose edhe nëse bëhet me këtë numër qysh kanë aplikuar është i papërballueshëm të zbatohet draftligji”, ka thënë Qeriqi.
Ndërkaq përfundimisht është hequr dilema se edhe pjesëtarët e FARK-ut do t’i marrin librezat e veteranit. Anëtari i Komisionit qeveritar për Verifikimin e Veteranëve, Rrustem Berisha, ka thënë se ekziston një konsensus i gjerë dhe disponim i mirë i komisionit që të gjithë qytetarët që kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, pavarësisht bindjeve politike, ta marrin statusin e veteranit. Sipas tij, në këtë mënyrë edhe para faktorit ndërkombëtar do të dalim më serioz dhe më të fuqishëm./Zëri/