E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 47 mijë shërbime kadastrale dhe 535 legalizime në pesë muaj në Korçë

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Korçë ka regjistruar një volum të lartë shërbimesh gjatë periudhës janar–maj 2026, duke vijuar me ritme të qëndrueshme procesin e ofrimit të shërbimeve kadastrale dhe formalizimit të pronësisë.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë kësaj periudhe janë trajtuar 47 860 shërbime kadastrale përmes platformës digjitale “e-Albania”, duke lehtësuar ndjeshëm aksesin e qytetarëve dhe duke ulur kohën e pritjes në sportele.

Në të njëjtën periudhë, 4152 qytetarë janë pajisur me certifikatë pronësie, ndërsa janë legalizuar 535 objekte informale banimi, në kuadër të procesit të formalizimit të ndërtimeve pa leje.

Kadastra Korçë thekson se digjitalizimi i shërbimeve ka ndikuar në rritjen e efikasitetit administrativ dhe transparencës në trajtimin e kërkesave të qytetarëve.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës vijon të mbetet e angazhuar në përmirësimin e mëtejshëm të proceseve dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve kadastrale në të gjithë vendin.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›