Mbi 5 mijë nxënës braktisin shkollat
Gjendja e vështirë ekonomike, martesat e hershme dhe fillimi i punës së hershme janë shkaqet e braktisjes së shkollës obligative dhe arsimit të mesëm të lartë.
Zyrtarë të MASHT-it thonë se kanë ndërmarrë hapa në parandalimin e kësaj dukurie, e cila sipas tyre është në rënie, ndërsa përfaqësuesit e opozitës thonë se braktisja e shkollave vazhdon të jetë dukuri shqetësuese dhe se për parandalimin e saj nevojitet zbatimi i ligjit.
Zyrtari për Arsimin e Mesëm të Ultë në Ministrinë e Arsimit, Fetah Kosumi ka thënë për Kosovapress se duke u mbështetur në statistikat e fundit të MASHT-it gjatë vitit 2010 në arsimin fillor dhe të mesme të lartë e kanë braktisur 5.128 nxënës.
“Gjatë vitit shkollor 2009-2010 nga 311.198 nxënës, shkollën e kanë braktisë 6 për qind prej tyre. 942 kanë qenë të gjinisë mashkullore, ndërsa femra kanë qenë 978 që kanë braktisë shkollimin e obliguar. Shkollimin e mesëm të lartë gjatë vitit 2009-2010 prej 1.448 nxënësve, shkollën e kanë lënë 3.208 nxënës ose 3.01 për qind, prej tyre kanë qenë 2.212 meshkuj, ndërsa femra 996 ose 31 për qind”, ka thënë Kosumi.
Sipas tij, përqindja e braktisjes së shkollave është shumë më e ultë krahasuar me vitet e mëhershme dhe kjo ka ardhur si rezultat i sigurimit të librave dhe transportit nga ana e shumicës së komunave për nxënësit e arsimit të mesëm të ultë.
“Me vitet e mëhershme përqindja është shumë më e vogël dhe si rezultat i kësaj është se Ministria e Arsimit i ka siguruar librat për nxënësit e arsimit të obliguar. Zakonisht braktisja sa i përket arsimit të mesëm të ultë shfaqet te klasa e tetë dhe të nëntë, aty edhe ku përfundon cikli i ultë i arsimit fillor”, ka thënë ai.
Me qëllim të parandalimit të braktisjes së shkollave, Kosumi thotë se që nga viti 2004 ministria ka bashkëpunuar me organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare duke formuar nëpër komuna grupet punuese, por edhe grupet nëpër shkolla nga komunitetet prindër, arsimtarë, të cilët i kanë vazhduar aktivitetet për kthimin ose parandalimin e braktisjes së shkollave.
Sipas tij, braktisja më e madhe ndodh në radhët e komunitetit rom, të cilët pas përfundimit të shkollës fillore ndërprenë shkollimin.
Përfaqësuesi për arsim në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Jonuz Salihu ka thënë për Kosovapress se dukuria e braktisjes dhe mos përfshirjes në arsimin obligues mbetet shqetësuese.
Ai konsideron se nuk dihet saktë shifra e atyre që i kanë braktisur shkollat, por besohet se ky numër është mbajt i lartë. Sipas tij, kjo ndodh edhe për shkak të mos zbatimit të ligjit, i cili parasheh masa ndëshkuese për prindër apo kujdestarë të klasave.
“Shkolla për fat të keq nuk është aq atraktive dhe tregu ynë i punës është tepër i ngushtë, kështu që njerëzit nuk motivohen shumë të shkojnë në shkollë. Nga ana tjetër nuk zbatohet ligji. Po ua marr vetëm një shembull në vitet 80-ta ne kemi pas mijëra dënime për kundërvajtje për prindër që nuk i kanë dërguar fëmijët në shkollë. Në këta 10-11 vjetët e fundit nuk ka asnjë rast, asnjë prind, asnjë kujdestar që është dënuar pse nuk e ka dërguar vajzën apo djalin në shkollë”, ka thënë Salihu.
Në bazë të statistikave të Ministrisë së Arsimit, të cilat nuk mund të jenë të sakta nëse marrim parasysh se regjistrimi i popullsisë nuk është bërë që tri dekada, del se në vitin 2002 shkollën e kanë braktisur 7.236 nxënës. Një vit më vonë kjo dukuri është rritur, ku 8.136 nxënës kanë lënë shkollën, ndërsa në vitin 2004 shkollën e kanë braktisur 5.569 nxënës.
Numri i atyre që kanë lëshuar bankat shkollore para kohe në vitin 2005 ka qenë 4.326, ndërsa në vitin 2006 pati serish ngritje në 4.856. Hiq më mirë nuk ishte as në vitin 2007 ku shifrat tregojnë për rritje të serishme, përkatësisht 5.571 nxënës.